• e enjte, 26 dhjetor 2024

Pako e re e masave antikrizë me vlerë prej 662 milionë euro

Pako e re e masave antikrizë me vlerë prej 662 milionë euro

Shkup, 28 nëntor 2023 (MIA) - Qeveria e miratoi pakon e nëntë të masave antikrizë e cila është me vlerë prej 662 milionë euro. Pakoja përmban 26 masa për siguri sociale të cilat kanë për qëllim mbështetjen e synuar të kategorive të rrezikuara të qytetarëve dhe kompanive, si dhe mbështetje për tejkalimin e vështirësive në kushte të shpenzimeve të rritura të jetës dhe efektet e vazhduara të krizës energjetike, informon kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Me masat që do të vlejnë nga 1 dhjetori, siç informon në konferencën e sotme për shtyp përfshihen 120 mijë persona të rinj, mbi 74 mijë kategori të rrezikuara qytetarësh, mbi 187 mijë pensionistë, 40 mijë fermerë, pothuajse 540 mijë shfrytëzues të aplikacionit TVSH-ja Ime, 600 mijë amvisëri dhe mbi 70 mijë kompani.

"Me masat sistematike për vitin 2023 dhe 2024 janë përfshirë mbi 338 mijë pensionistë dhe 106 mijë të punësuar në administratë", tha Kovaçevski.

Ai theksoi se masat e destinuara për qytetarët, amvisëritë dhe fermerët janë në vlerë prej 56 milionë euro.

"Në këtë pako të masave siguruam mbështetje për rritjen e standardit të nxënësve për shkollat fillore dhe të mesme nga familjet e kategorive të rrezikuara me të ardhura të ulëta deri në 50 mijë denarë", tha Kovaçevski dhe shtoi se mbi 105 mijë nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm në gjashtë muajt e ardhshëm do të marrin nga 1.200 denarë, pra nga 1.800  denarë në muaj për të cilën nga Buxheti do të ndahen 14,3 milionë euro", theksoi Kovaçevski.

Mbështetje do të ketë edhe për 15 mijë studentë që jetojnë jashtë vendit të studimeve. Ata do të marrin vauçer për transport.

Është parashikuar edhe mbështetje për pensionistët me të ardhura më të ulëta. Siç tha, në pesë muajt e ardhshëm ata me pension deri në 14 mijë denarë do të marrin nga 3000 denarë në muaj, ata me pension nga 14 deri në 16 mijë denarë nga 2.000 denarë në muaj dhe ata me pension nga 16 deri në 19 mijë denarë do të marrin nga 1.500 denarë në muaj. Për këtë qëllim janë caktuar 35 milionë euro.

"Me pakon e re parashikohet pagesa e subvencioneve përmes programit IPARD për 40 mijë fermerë që kanë të mbjella me kultura bujqësore e kopshtare, vreshta dhe pemëtari dhe që merren me blegtori, për të cilat janë paraparë 8.1 milionë euro", ka thënë Kovaçevski.

Përmes programit për varfëri energjetike, shtoi, janë parashikuar një milionë euro për mbështetje financiare të mbi 5.000 familjeve. Janë parashikuar 1,1 milionë euro për rreth 2.250 shfrytëzues për mbështetje financiare të amvisërive për investime në burimet e rinovueshme të energjisë dhe efikasitet energjetik, pra mbështetje për panelet fotovoltaike deri në maksimum 80.000 denarë, maksimum 15.000 mijë denarë për sistemet solare dhe deri në maksimum 35.000 denarë për instalim të dyerve dhe dritareve PVC.

Ai bëri të ditur se do të vazhdojë masa e subvencionimit të energjisë elektrike dhe se do të vazhdojë subvencionimi 90 për qind i çmimit të energjisë elektrike për 611 mijë amvisëri dhe 68 mijë konsumatorë të vegjël, për të cilat llogaritet se do të nevojiten 35 milionë euro.

"E subvencionuam edhe çmimin e energjisë ngrohëse. Për ngrohjen qendrore për amvisëritë dhe kompanitë për 63 mijë shfrytëzues në Shkup edhe këtë vit do të sigurohet çmim i subvencionuar për të cilën vlerësohet se do të duhen 7,4 milionë euro", tha Kovaçevski.

Gjithashtu, siç tha ai, do të vazhdojë edhe mbështetja financiare për faturat e energjisë elektrike për familjet me të ardhura të ulëta, përdoruesit e ndihmës minimale të garantuar dhe pensionin social. Për ta, mbështetja do të jetë 1.200 denarë në muaj për gjashtë muajt e ardhshëm. Masa mbulon mbi 50 mijë përdorues dhe është në shumën totale prej 5.9 milionë euro.

Për masën TVSH-jaIme, theksoi se janë siguruar mjete për kthim të TVSH-së dhe se është parashikuar rritje e pragut deri në 2.100 denarë për çdo tremujor veçmas. Për këtë janë parashikuar 42,2 milionë euro, ndërsa do të përfshijë 540 mijë përdorues.

"Si pjesë të masave parashikuam edhe zgjidhje ligjore me të cilën kufizohet kamata ndëshkimore deri në vlerën e borxhit, ndërsa njëherit është planifikuar edhe masa me të cilën ulet vlera e shkallës së kamatës ndëshkuese për 3 për qind pikë për qytetarët me të ardhura të ulëta", theksoi Kovaçevski.

Për të ruajtur likuiditetin e kompanive, për të nxitur konkurrencën dhe për të nxitur investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë në sektorin privat, shtoi ai, janë planifikuar 492 milionë euro. Në kuadër të masave parashikohen kredi të favorshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vlerën prej 10 milionë euro, për investime në projekte për efikasitetin energjetik (EE) dhe burimet e rinovueshme të energjisë (BRE) përmes emetimit të një obligacioni të gjelbër.  Zgjerohet gama e kompanive që përfitojnë nga Skema e Garancisë nga Fondi i Garancisë së Bankës së Zhvillimit duke lehtësuar kriteret e aplikimit, për të cilat janë parashikuar 39 milionë euro.

"Në bashkëpunim me BEI-në, parashikojmë një linjë të shtatë të favorshme krediti për një tranzicion të gjelbër me vlerë prej 100 milionë euro për investime në EE dhe BRE sipas parimit 1+1. Në bashkëpunim me Agjencinë Franceze për Zhvillim, është planifikuar një linjë krediti e favorshme në vlerën prej 50 milionë euro për të mbështetur sipërmarrjen femërore, digjitalizimin dhe projektet që kontribuojnë në uljen e efekteve negative të ndryshimeve klimatike dhe projekte me kontribut pozitiv në mjedis. Në bashkëpunim me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, janë planifikuar 50 milionë euro për kredi favorizuese për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, krijimin dhe ruajtjen e vendeve të punës, mbështetjen e sipërmarrjes femërore për investime të gjelbra. Përmes instrumentit të BERZH-it për financimin e gjelbër, ne ofrojmë mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për individët dhe ekonomitë familjare që të investojnë në BRE dhe zgjidhje inovative për EE në vlerë prej 790 mijë euro", specifikon Kovaçevski.

Është parashikuar edhe vendim për përmirësimin e shfrytëzimit të dehidratuar për prodhimin e qumështit dhe produkteve të qumështit me qëllim që të ulen çmimet e shitjes me pakicë.

"Në këtë pako masash kemi ofruar mbështetje financiare për subvencionimin e kontributeve për punëtorët e rinj dhe ekzistues, për rritjen e pagave të punëtorëve nga 3 në 9 mijë denarë. Vazhdon mbështetja e sektorit publik, për të cilin janë siguruar gjithsej 14.9 milionë euro. Në bashkëpunim me BB-në janë dhënë kredi të favorshme për komunat për investime në EE, për të cilat janë ndarë 10 milionë euro. Për Fondin për EE janë siguruar 5 milionë euro në Bankën Zhvillimore në bashkëpunim me Bankën Botërore me qëllim të financimit të projekteve për EE dhe BRE", tha Kovaçevski.

Po vazhdojmë, theksoi ai, me masat sistematike për zbutjen e efekteve të krizës së çmimeve dhe energjisë, për të cilat janë planifikuar 516 milionë euro, nga të cilat 189 milionë euro në vitin 2023 dhe 327 milionë euro në vitin 2024, prej të cilave 36.2 milionë euro janë për rritje të pagave në sektorin publik si respektim i pagës minimale për vitin 2023, gjithsej 52 milionë euro për rritjen e pagave në sektorin publik në bazë të marrëveshjes së përgjithshme kolektive për rritje prej 10 për qind dhe pagesën e K-15. Për të njëjtën masë në vitin 2024 janë planifikuar 150 milionë euro. Për vitin 2023 janë parashikuar 100 milionë euro për pagesën e pensioneve të rritura për mbi 338 mijë pensionistë, ndërsa për vitin 2024 janë parashikuar 178 milionë euro për rritjen e pensioneve sipas metodologjisë së re.

Ministri i Financave Fatmir Besimi në përgjigje të pyetjes sqaroi se masat antikrizë financohen nga flukset hyrëse nga tarifat publike dhe që nuk financohen nga kreditë, si dhe që janë parashikuar në buxhetet e vitit 2023 dhe 20224. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR