Pajisje e re për densitometri vihet në funksion në Klinikën ortopedike "Majçin dom"
- Pajisje e re për densitometri, përkatësisht matjen e dendësisë së kockave, nga sot është vënë në funksion në Klinikën ortopedike "Majçin dom" në Shkup.
- Post By Fami Bajrami
- 13:27, 2 prill, 2026
Shkup, 2 prill 2026 (MIA) - Pajisje e re për densitometri, përkatësisht matjen e dendësisë së kockave, nga sot është vënë në funksion në Klinikën ortopedike "Majçin dom" në Shkup.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi ambientet e Klinikës së TOARKIQU në "Majçin dom", ku është siguruar një aparat i ri më bashkëkohor DEXA Scan, i dedikuar për diagnostikimin në kohë dhe ndjekjen e osteoporozës.
"Vënia në përdorim e DEXA Scan-it të ri në "Majçin dom" paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të shëndetësisë publike, veçanërisht në fushën e diagnostikimit të osteoporozës si një sfidë serioze e shëndetit publik. Osteoporoza është një gjendje që, nëse nuk zbulohet me kohë, mund të çojë në pasoja të rënda për pacientët, prandaj diagnostikimi i hershëm dhe i saktë është thelbësor. Veçanërisht e rëndësishme është se bëhet fjalë për një aparat me mundësi më të gjera diagnostikuese, i cili do të mundësojë jo vetëm zbulimin dhe ndjekjen në kohë të pacientëve me osteoporozë, por edhe përdorimin te fëmijët, vlerësimin e frakturave vertebrale, si dhe te pacientët me endoprotezë të kofshës", sqaroi ministri Aliu.

Mjetet janë siguruar përmes koordinimit të përbashkët të Klinikës, Fondit për Sigurim Shëndetësor, Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa paralelisht me furnizimin e aparatit është realizuar edhe rinovimi i plotë i hapësirës, duke përmirësuar kështu kushtet për ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore.
Foto: MIA