• e enjte, 27 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Pagesa e ndihmës për të pësuarit nga zjarri në bazë të të dhënave personale, deri më tani janë mbledhur 54 milionë denarë

Pagesa e ndihmës për të pësuarit nga zjarri në bazë të të dhënave personale, deri më tani janë mbledhur 54 milionë denarë

Shkup, 24 mars 2025 (MIA) - Kryqi i Kuq deri më tani ka grumbulluar mbi 54 milionë denarë donacione për viktimat në Koçan. Pasi të grumbullojmë të gjitha deklaratat e nevojshme për përdorimin e të dhënave personale të të lënduarve dhe familjarëve, do vazhdojmë me pagesën e ndihmës financiare, paralajmëroi sot Sait Saiti, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Republikan.

Në konferencën e sotme për media lidhur me aktivitetet e ndërmarra në mbështetje të viktimave të fatkeqësisë në Koçan dhe mënyrën e pagesës së ndihmës financiare nga donacionet e tubuara për familjet e viktimave dhe të lënduarve, ai tha se mbledhja e të dhënave personale dhe pëlqimit për përdorimin e tyre është një sfidë që ngadalëson procesin e pagesës së ndihmës financiare dhe se për tëjkalimin e kësaj janë bërë përpjekje mbinjerëzore.

"Në përputhje me rregulloret ligjore, duke respektuar Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, Kryqi i Kuq duhet të japë pëlqimin për përpunimin e të dhënave personale. Këtë fundjavë arritëm t'i mbledhim të dhënat, kanë arritur sot këtu, ramë dakord që të dhënat për personat që trajtohen jashtë vendit t'i mbledhin shërbimet e qeverisë, një pjesë e tyre janë marrë sot, ndërsa u informuam se pjesën tjetër do t'i marrim gjatë ditës. Shpresoj që me përpjekje mbinjerëzore të arrijmë ta kryejmë këtë sot ose nesër dhe do të vazhdojmë me pagesën e mjeteve. Sot Bordi drejtues ka vendosur që ndaj çdo të pësuari të paguhen 150.000 denarë ndihmë fillestare financiare dhe emergjente", ka thënë Saiti.

Ai theksoi se Kryqi i Kuq në periudhën e ardhshme do t'i përkushtohet aktiviteteve në terren, veçanërisht në fushën e ofrimit të mbështetjes psikologjike, për të cilën tha se do të jetë më e nevojshme në periudhën e ardhshme.

Lidhur me iniciativat për mbledhjen e donacioneve në platformat e rrjeteve sociale, ai tha se respekton dëshirën e qytetarëve për të ndihmuar, por se është kundër publikimit të të dhënave personale të të pësuarve.

"Nuk do të ishte mirë që Kryqi i Kuq të jetë ai që do të etiketojë dhe kritikojë ata që duan të krijojnë një platformë dhe të ndihmojnë që të mos perceptohemi si të vetmit që duam të jemi unikë. Po shohim se ka ambicie të ndryshme, ka një iniciativë në Koçan dhe vetëm do të thoja që ne si Kryq i Kuq nuk do të guxonim t'i përdorim të dhënat personale të dikujt dhe t'i publikojmë në atë mënyrë që të parandalojmë keqpërdorimin e mundshëm të atyre të dhënave në të ardhmen", ka thënë Saiti.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR