• e enjte, 26 dhjetor 2024

Përsëri është bllokuar puna e Komisionit kuvendor për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini

Përsëri është bllokuar puna e Komisionit kuvendor për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini

Shkup, 19 dhjetor 2024 (MIA) – Kryetarja e Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini, Ilire Dauti sot përsëri e ndërpreu mbledhjen pasi deputetja Jovana Trençevska nga LSDM kërkoi si pikë e parë e rendit të ditës të jetë Propozimi i ligjit për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe familjet e tyre – Ligjit për branitellat. Në komision duhej të debatohej për Propozimin e ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin e detyrueshëm pensional të financuar nga kapitali në lexim të dytë.

Në kërkesën e Trençevskës, kryetarja e Komisionit, Dauti theksoi se nuk mundet të vihet në votim propozimi i saj sepse ky propozim-ligj i ka kaluar të gjitha afatet ligjore. Dhe në fund, Dauti e ndërpreu seancën e sotme të Komisionit. 

“Debati për këtë ligj është debat për të cilin janë shpjeguar të gjitha palët. Nuk dua të shkoj më tej dhe të hyj në detaje. Ju e dini që propozimi juaj nuk i plotëson kërkesat e Rregullores së Kuvendit dhe ne nuk mund ta pranojmë propozimin tuaj. Ju e dini shumë mirë që ligjet që duhej të kalonin në Komisionin tonë kaluan nëpër komisione të tjera. Nuk e kam vënë re që ju shkoni atje për të bllokuar punën e komisioneve apo seancave plenare kur ato kalojnë. Ju vazhdoni të insistoni në pengimin e punës së këtij Komisioni, edhe pse edhe ju edhe unë, edhe të gjithë e dimë se ai ligj i ka kaluar të gjitha afatet e parapara me Rregulloren e punës. Dhe ligji që propozova për rendin e ditës të seancës së sotme kaloi në seancë plenare”, tha Dauti.

Ajo kërkoi që të mundësohet puna e Komisionit pa pengim. Për këtë foli Trençevska, e cila tha se si deputete sipas Rregullores të Kuvendit ka të drejtë të propozojë që të vihet në rende dite ky Propozim-ligj.

“E kam theksuar disa herë se ligji është ende në sistem dhe nuk është tërhequr. Dhe në përputhje me nenin 131 të Rregullores së Kuvendit, rendi i ditës së seancave dhe pjesa e punës përcaktohet në fillim të seancës, ashtu siç e keni filluar dhe në rend dite mund të përfshihen edhe pyetjet e propozuara nga deputetët, kryetari të Kuvendit ose të Qeverisë . Sipas Rregullores, unë kam të drejtë ta fus në rend dite këtë Propozim ligj, ndërsa ju keni obligim që këtë propozim timin ta vendosni në votim, kështu që nëse kalon do të jetë në rend dite dhe nëse nuk kalon, pastaj vazhdoni me rendin e ditës që e sugjeruat”, tha Trençevska.

Dauti përsëriti se kërkesa e Trençevskës është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. 

“Ju vazhdoni me të njëjtin këmbëngulje si më parë, dhe unë duhet të vazhdoj me të njëjtën këmbëngulje si më parë, jo sepse them kështu, por sepse Rregullorja na detyron ta bëjmë këtë. Kërkesa juaj është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, nuk kam mundësi ta bëj as si propozim, sepse po flisni për një ligj që nuk i plotëson kriteret kohore dhe të tjera. Unë po e ndërpres këtë seancë”, tha Dauti. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR