• e enjte, 26 dhjetor 2024

Përfundon konkursi për pranim në konvikte për studentët nga viti i dytë deri në të gjashtin dhe absolventët

Përfundon konkursi për pranim në konvikte për studentët nga viti i dytë  deri në të gjashtin dhe absolventët

Shkup, 31 korrik 2024 (MIA) - Konkursi për pranimin e studentëve në konvikte në të gjithë vendin, të cilët janë regjistruar në studime deridiplomike nga viti i dytë deri në të gjashtin ose janë absolventë në vitin akademik 2024/2025, përfundon sot në mesnatë. Nga 15 korriku, kur u hap  konkursi, deri dje pasdite në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kanë mbërritur mbi 2100  aplikime elektronike. 

Studentët që aplikojnë në konkurs plotësojnë një aplikim elektronik dhe e ngjesin dokumentacionin adekuat në portalin e internetit http://e-uslugi.mon.gov.mk   Në konkurs janë shënuar dokumentet e nevojshme për aplikim dhe mënyra e regjistrimit.

Lista përfundimtare për pranimin e studentëve nga viti i dytë e më tutje do të publikohet jo më vonë se data 6 shtator 2024 në tabelat e shpalljeve në konviktet ku studenti ka aplikuar dhe në ueb faqen e Ministrisë. Ankesat pas rezultateve dorëzohen në vetë konviktin ku kandidati ka aplikuar brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes së rezultateve.

Për ata që do të regjistrohen në vitin e parë të studimeve aplikimi do të jetë nga data 10 deri më 17 shtator 2024. Lista përfundimtare e pranimit të brucoshave do të publikohet jo më vonë se data 30 shtator 2024 dhe afati i ankesave do të jetë gjithashtu 10 ditë nga dita e shpalljes së rezultateve.

Nga MASH besojnë se do të ketë shtretër për kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara në konkurs, sipas të cilave për studentët nga viti i dytë deri në të gjashtin dhe për absolventët në dispozicion janë gjithsej 3269 vende në të gjitha konviktet e vendit.

Përveç tyre, me konkursin janë parashikuar 1034 shtretër për brucosha, për të cilët konkursi do të hapet në shtator, gjegjësisht për të gjithë studentët së bashku, gjithsej 4303 shtretër janë të disponueshëm në 11 konvikte studentore në Shkup, Manastir, Ohër, Prilep, Shtip dhe Tetovë.

Këtë vit akademik nuk do të ketë pranim të studentëve në konviktet "Stiv Naumov" dhe "Kuzman Josifovski-Pitu" në Shkup sepse në pranverë filloi rikonstruimi i shumëpritur. Sipas planit, gradualisht duhet të përfshijë nëntë konvikte shtetërore studentore dhe sipas kontratës me kontraktorin, rikonstruimi i këtyre dy konvikteve duhet të përfundojë për një vit e gjysmë.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se nëse interesi dhe numri i aplikimeve tejkalojnë kapacitetin e disponueshëm akomodues, studentëve të interesuar që do të aplikojnë në konkurs do t'u ofrohet akomodimi në konviktin "Tome Stefanovski-Seniq", ku janë planifikuar gjithsej 370 vende. 

"Gjithashtu, në dispozicion janë edhe një pjesë e konvikteve të cilat nuk u mbushën plotësisht në vitet e kaluara akademike", thonë nga MASH. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR