• e enjte, 26 dhjetor 2024

Përfundoi mandati i Toshkovskit, Bushi e ndërmerr funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme deri në zgjedhjen e qeverisë së re

Përfundoi mandati i Toshkovskit, Bushi e ndërmerr funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme deri në zgjedhjen e qeverisë së re

Shkup, 31 maj 2024 (MIA) - Me Ministrinë e Punëve të Brendshme prej sot do të udhëheqë Nazim Bushi, njoftuan nga MPB.

Ministri i deritanishëm në Qeverinë teknike, Pançe Toshkovski ia dorëzoi zyrtarisht detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme Nazim Bushit, zëvendësministër i deritanishëm i Punëve të Brendshme.

"Pas pranim-dorëzimit të sotëm të detyrës, në përputhje me dispozitat ligjore ekzistuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi do të udhëheqë me MPB-në deri në fillimin me punë të përbërjes së re Qeveritare, përkatësisht deri në emërimin e ministrit të ri të punëve të brendshme", njoftuan nga MPB.

Më parë, në fejsbuk ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski shkroi se pasi gjatë ditës së djeshme Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i publikoi rezultatet përfundimtare nga Zgjedhjet parlamentare 2024 mandati e tij si ministër të punëve të brendshme në qeverinë kalimtare për zbatimin e zgjedhjeve të deputetëve përfundoi, ndërsa në bazë të Ligjit për Qeverinë zëvendësministri i deritanishëm i punëve të brendshme, Nazim Bushi e ndërmerr detyrën. 

"Me këtë rast dua të theksoj se periudha e kaluar ishte e mbushur me shumë sfida, por bashkë me ekipin tim dëshmuam se me punë të mundimshme, profesionalizëm dhe nder mund të arrihet shumë për shtetin tonë. Arritëm të sigurojmë qëndrueshmëri dhe besim në procesin zgjedhor, gjegjësisht lirisht mund të them se i organizuam zgjedhjet më demokratike deri më tani, që në fakt ishte edhe qëllimi ynë kryesor", shkroi Toshkovski.

Krahas kësaj, shtoi ai, bëmë përpjekje për përmirësimin e sigurisë dhe rendit në vendin tonë, duke u përballur me shumë sfida dhe situata të cilat kërkonin reagime të shpejta dhe efikase. Thekson se me krenari mund të thotë se si ekip udhëhoqi me Ministrinë në këto katër muaj, funksionuam, thekson, në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi, gjithnjë me përkushtim të plotë për nevojat e qytetarëve dhe shtetit.

"Uroj që sa më shpejt të formohet Qeveria e re, që institucionet shtetërore të funksionojnë me kapacitet të plotë. Nevojiten reforma urgjente dhe thelbësore, të cilat janë të nevojshme që Maqedonia të stabilizohet sa më shpejt dhe të vazhdojë rritjen dhe zhvillimin e saj. Besoj se me përpjekje të përbashkëta mund të krijojmë një të ardhme më të mirë dhe më cilësore për të gjithë ne", ka shkruar ministri Toshkovski.

Ai e falenderoi ekipin e tij i cili, siç thotë, bëri përpjekje mbinjerëzore gjatë katër muajve, por edhe të gjithë të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të cilët me të vërtetë ishin në krye të detyrës. 

"Faleminderit edhe qytetarëve të cilët në vazhdimësi na mbështetën dhe besuan. Bashkë do të vazhdojmë të angazhohemi për Maqedoni të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë", shkroi ai në Fejsbuk. fc/

Fotografia: MPB

QËNDRONI TË LIDHUR