• e premte, 10 prill 2026

Përfaqësues të arkivave të huaja në takim në Shkup, promovohet pulla postare për jubileun e Arkivit shtetëror

Përfaqësues të arkivave të huaja në takim në Shkup, promovohet pulla postare për jubileun e Arkivit shtetëror

Shkup, 6 prill 2026 (MIA) - Përfaqësues të 15 arkivave dhe shoqatave arkivore nga rajoni dhe Evropa u takuan sot në Shkup si pjesë e programit për shënimin e 75 vjetorit të Arkivit shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në takim morën pjesë të ftuar nga arkivat e Turqisë, Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Bullgarisë, Rumanisë, Maltës, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës, Komitetit të Arkivave të NATO-s, ICARUS (International Centre for Archival Research) dhe Eurbica (European Regional Branch). 

Në takim u diskutua për tendencat – digjitalizimin dhe sistemet informatike, të cilat janë kyçe  për arkivat e shekullit të 21-të në misionin e tyre për ruajtjen dhe mbrojtjen e dokumenteve dhe materialeve të rralla arkivore. 

Drejtori i Arkivit Shtetëror Dimitar Bogeski deklaroi se arkivat nga vendet e tjera janë para nesh në procesin e digjitalizimit dhe softuerit informatik. 

- Prandaj edhe i ftuam – t'i shfrytëzojmë njohuritë e tyre dhe mundësitë për disa nga fondet e tyre, në mënyrë që të zhvillojnë sistem bashkëkohor me të cilin do të përballojnë zhvillimet moderne. Ne tashmë jemi në fazën e analizës dhe në periudhën e ardhshme do t'ia prezantojmë këtë Qeverisë dhe do të dalim me masa dhe hapa konkretë që vendi ynë do të duhet t'i ndërmarrë për të mbajtur hapin me standardet evropiane", deklaroi Bogeski.  

Ai shtoi se takimi me arkivat e huaja është mundësi edhe për të rivendosur bashkëpunimin që ka qenë shumë më dinamik në të kaluarën.  

"Errësira që ekzistonte midis arkivave në këto pak vite, tani po përpiqemi ta mënjanojmë. Për dhjetë vjet nuk kemi dërguar njerëz për të hulumtuar dhe për dhjetë vjet nuk kemi sjellë materiale arkivore nga ndonjë arkiv tjetër. Jemi duke bërë çmos, përmes këtij jubileu dhe përmes energjisë dhe frymës së re që vjen në Arkivin, që të heqim atë dhe të vazhdojë bashkëpunimi që është ndërtuar për një kohë të gjatë në të kaluarën, kur marrëdhënia midis arkivave ishte shumë e mirë dhe hulumtimi midis nesh ishte në njëfarë niveli. Tani duam së pari të rivendosim atë nivel që ka qenë më parë dhe, për më tepër, ta sendërtojmë, në mënyrë që shteti ynë të ketë gjithnjë e më shumë dokumente që janë në favorin tonë, që janë me interes për ne dhe publikun", theksoi drejtori i Arkivit shtetëror. 

Si shembull për bashkëpunim shumë të mirë e përmendi Arkivin osman nga Stambolli, një nga arkivet më të mëdha në botë që ruan dokumente nga pesë shekujt e sundimit të Perandorisë. Në pyetjen e një gazetari, Bogeski u përgjigj se  në bashkëpunim me Arkivin e Bullgarisë, arkivi ynë nuk ka asnjë problem. 

"As ata me ne, as ne me ta. Hulumtimet kudo në botë janë të hapura, struktura është e karakterit publik. Askund nuk kemi ndalime, e as ne nuk i japim dikujt ndalime, gjithçka që njerëzit duan të hulumtojnë – ne jemi të hapur", tha Bogeski.

Bashkëpunimi me Arkivin e Bullgarisë ka qenë më i dobët në katër vitet e fundit se më parë dhe kryetari i Arkivit , Mihaill Gruev, deklaroi se ai priste që ajo të jetësohet përsëri dhe kjo është arsyeja pse ata janë të pranishëm në takimin në Shkup. Për më shumë se 20 vjet, të dy arkivat kanë pasur marrëveshje bashkëpunimi që ka rezultuar, tha Gruevi, në mënyrë shumë efektive në vitet e kaluara kur shkëmbyen kopje të dokumenteve, kanë bërë botime  dhe ekspozita të përbashkëta.

"Nuk ka kurrfarë pengesash, arkivat tona janë të hapura si gjithmonë. Vitet e fundit, për shkak të situatës në marrëdhëniet e ndërsjella, kontaktet tona janë zvogëluar, por shpresoj që pas këtij takimi të rifillojmë kontaktet dhe bashkëpunimin tonë me Arkivin e Maqedonisë. Për shkak se jemi të lidhur jo vetëm nga historia, por edhe nga ndjenja shumë të ngrohta, të ngushta, do të thoja kolegjiale dhe miqësore me kolegët. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu, për të përshëndetur 75 vjetorin e tyre dhe dëshirojmë të rivendosim bashkëpunimin që kemi pasur në të kaluarën", tha Gruevi. 

Ai vuri në dukje se ka shumë dokumente në Arkivin e Bullgarisë, shumë prej të cilave janë kopjuar nga homologët e tyre maqedonas, sepse sensi i bashkëpunimit, tha ai, ishte në shkëmbimin dhe në interes të shkencës.

"Ne kemi një larmi të madhe dokumentesh nga shekulli i 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të, të cilat janë të lidhura me historinë tonë të përbashkët", shtoi Gruevi.   

Në takimin e arkivave morën pjesë edhe përfaqësues nga Komiteti arkivor i NATO-s (NATO Archives Committee),  Nikollas Rosh, ku ruhen materialet për Maqedoninë që kur ishte pjesë e Jugosllavisë dhe  dokumentet që lidhen me periudhën kur Aleanca, tha ai,  zhvillonte përpjekje të ndryshme për paqe në vendet e Ballkanit.  

"Dhe, natyrisht, gjithçka që ka të bëjë me atë kur Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s. Kemi material në lidhje me negociatat, diskutimet të gjitha të lidhura me NATO-n. Në Komisionin arkivor miratohen vendime lidhur me mënyrën e mbajtjes së të dhënave, mënyrën e arkivimit dhe mënyrën e zbatimit të transparencës publike lidhur me këto tendenca. Maqedonia e Veriut gjithashtu ka vend në atë tryezë dhe ne kemi diskutime shumë të frytshme për ato tema me kolegët tanë që janë këtu sot. Një nga qëllimet tona kryesore në Komitet është publikimi i materialit. Ne me të vërtetë duam të sigurohemi që historia që kemi të jetë e arritshme për opinionin e gjerë. Një nga gjërat për të cilat po punojmë me kombet dhe me Maqedoninë e Veriut është të vendosim se në çfarë do të përqendrohemi, në cilat tema do të ndajmë kohë për t'i deklasifikuar, përpunuar dhe pastaj publikuar ato në faqet e internetit, për të organizuar ekspozita. Këto janë gjërat për të cilat mund të punojmë së bashku", deklaroi Roshi. 

Lidhur me interesin e vizitorëve, drejtori Bogeski theksoi se Arkivi shtetëror është i hapur për të gjithë njerëzit kureshtarë që duan të hulumtojnë dhe të arrijnë deri te ndonjë dokument që u intereson. 

"Duhet vetëm të përmendin se cilin fond duan ta hulumtojnë dhe cilën temë dhe për jo më shumë se një ditë ai material është në dispozicion të tyre", bëri të ditur Bogeski. 

Më së shumti vizitorë kanë nga Instituti i Historisë Kombëtare dhe Katedra e Historisë në Fakultetin Filozofik, të cilët vijnë për kërkime të vazhdueshme, si dhe studentë, përfaqësues të ambasadave në vend dhe  qytetarë që hulumtojnë për shkak të disa interesave të tyre. Siç tha ai, nuk e di se për çfarë arsyesh, por në mesin e gazetarëve ekziston interesi më i vogël për kërkime në Arkivin shtetëror. 

Arkivi sot shënoi jubileun edhe me një ngjarje tjetër - promovimin e pullës postare, të cilën SHA Posta e Maqedonisë së Veriut e botoi në tirazh prej 6000 kopjesh. Dizajni i pullës është nga Jovan Stojanovski dhe ka vlerë nominale prej 43 denarësh.    

Drejtori i Operacioneve postare në Postën SHA të Maqedonisë së Veriut, Bojan Keremestevski, theksoi në promovimin se pulla postare është simbol i asaj që përfaqëson Arkivi shtetëror – institucion që është shtyllë e identitetit maqedonas. 

"Posta e Maqedonisë, e cila është gardiane e traditës si edhe Arkivi, ka nderin të shtypë pullë postare për jubileun 75 vjeçar të Arkivit. Kjo vepër e vogël artistike  me rëndësi të jashtëzakonshme është ambasadore e vërtetë e Republikës së Maqedonisë sepse përmes pullave postare ne afirmojmë kulturën, historinë, traditën tonë. Sot promovojmë vlerën, kështu që sa herë që dërgoni një letër ose një paketë, i dërgoni ato me pulla postare sepse vetëm në këtë mënyrë ato do të jetojnë", tha Keremestevski. 

Arkivi Shtetëror do të përmbyllë festimin e 75 vjetorit me një mbrëmje akademi solemne në orën 19 në Teatrin Popullor të Maqedonisë.  Arkivi është formuar më 1 prill të vitit 1951 me dekret të Qeverisë së atëhershme.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR