• e enjte, 26 dhjetor 2024

Për të tretën herë anulohet rigjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Për të tretën herë anulohet rigjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Tetovë, 5 nëntor 2024 (MIA) - Për të tretën herë është shtyrë rigjykimi për spitalin modular në Tetovë pasi Gjykata e Apelit në Gostivar e ktheu në rigjykim pas seancës publike në prill të vitit 2024 dhe pas vendimit fillestar më 5 qershor 2023. Sot seanca është shtyrë pasi ka munguar gjykatësi Jordan Velkovski, ndërsa gjykatësja që e ka zëvendësuar atë e ka caktuar seancën e radhës më datë 15 janar 2025 në orën 10.

Tentimi i parë për rigjykim ka qenë më 26 qershor 2024, kështu që është shtyrë për më 25 shtator, kur gjithashtu nuk u mbajt seancë publike.

Gjykata e Apelit në muajin prill të këtij viti solli vendim ku urdhërohet të ketë gjykim të sërishëm për ish drejtorët e Spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe Institucionin publik shëndetësor Spitali klinik Tetovë si subjekt juridik. Për mjekun Boban Vuçevski, Gjykata e Apelit në prill të vitit 2024 e refuzoi ankesën e Prokurorisë dhe konfirmoi lirimin e tij.

Më 5 qershor 2023, Gjykata Themelore në Tetovë ka shqiptuar dënim me kusht për të akuzuarit drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi për veprat penale “vepra të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa personi juridik ISHP Spitali klinik është shpallur fajtor për veprën penale “shkaktim i rrezikut publik” në procesin gjyqësor pasi në spitalin modular në Tetovë shpërtheu zjarr në vitin 2021 ku humbën jetën 14 persona. Gjykata më pas vendosi që të lirojë dr. Boban Vuçevskin dhe të mos ketë përgjegjësi për Spitalin klinik për veprën penale "mosrespektim i rregullave shëndetësore".

Sipas aktakuzës, të akuzuarve Florin Besimi dhe Artan Etemi iu konstatua dënimi me burg nga një vit e gjashtë muaj, dënim me kusht por që dënimi me burg nuk do të zbatohet nëse të akuzuarit nuk kryejnë vepër të re brenda tre viteve. Një person juridik është dashur të paguajë gjobë në shumë prej një milion denarë, 30 ditë pas aktgjykimit të plotfuqishëm.

Procesi i parë gjyqësor u zhvillua pasi më 8 shtator 2021 nga zjarri në spitalin modular në kuadër të Spitalit klinik të Tetovës humbën jetën 14 persona.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR