• e enjte, 26 dhjetor 2024

Për sot është paralajmëruar mbledhje e Komisionit për Sëmundje Infektive në lidhje me pertusis

Për sot është paralajmëruar mbledhje e Komisionit për Sëmundje Infektive në lidhje me pertusis

Shkup, 27 mars 2024 (MIA) - Komisioni për Sëmundje Infektive pritet të mbajë mbledhje sot për gjendjen me sëmundjen pertusis (kolla e mirë) në vend.

Nga data 15 deri më 21 mars janë raportuar 72 raste të reja me kollë të mirë, me një rritje prej 67 për qind krahasuar me periudhën paraprake shtatë ditëshe, tregojnë të dhënat nga raporti i fundit i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), i publikuar të hënën.

"Në lidhje me shpërndarjen gjeografike, shumica e rasteve në kuadër të epidemisë janë raportuar në Shkup, ndërsa raste janë raportuar edhe në Kumanovë, Manastir, Tetovë, Dibër dhe Strugë. Mosha e pacientëve shkon deri në 44 vjeç. Numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha e fëmijëve nga 10 deri në 14 vjeç. Nga 72 rastet e reja, nëntë janë shtruar në spital - shtatë fëmijë nën moshën një vjeçare dhe një person nga grupmosha 15 deri në 19 vjeç dhe 20 deri në 29 vjeç", thuhet në raportin e ISHP-së.

Deri më 21 mars në vend janë regjistruar gjithsej 287 raste me kollë të mirë.

Deklarata për promovimin dhe mbështetjen e vaksinimit është nënshkruar të hënën nga tri odat e mjekësisë - Oda e Mjekëve, Farmaceutike dhe Stomatologjike, Ministria e Shëndetësisë, Fakultetet e Mjekësisë në vend dhe ISHP.

"Vaksinimi është përfitimi më i madh i njerëzimit. Fatkeqësisht, sipas të dhënave për vitin 2022, përsa i përket vaksinimit primar dhe rivaksinimit, nuk është arritur përfshirja e rekomanduar mbi 95 për qind për asnjë vaksinë në nivel kombëtar. Përfshirja e regjistruar është nën 90 përqind për të gjitha vaksinat. Si pasojë e kësaj, ne tashmë po përballemi me epideminë e kollës së mirë dhe rreziku për ballafaqim me epidemi të reja të lisë është serioz", tha Kalina Grivçeva - Stardelova, kryetare e Odës së Mjekëve. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR