• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Për shtatë muaj në Dibër janë kurorëzuar 75 çifte

Për shtatë muaj në Dibër janë kurorëzuar 75 çifte

Dibër, 16 gusht 2023 (MIA) - Nga sektori i martesave pranë komunës Dibër konfirmojnë se këtë vit është shënuar rritje e numrit të kurorëzimeve.

"Gjatë shtatë muajve të kaluar të këtij viti janë regjistruar 75 kurorëzime, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kishim 48 kurorëzime. Kjo gjithsesi edhe për shkak të faktit që një pjesë e mirë e kurbetçarëve të cilët qëndrojnë në vendlindje vendosin të kurorëzohen këtu në zyrën tonë e cila funskionon në ndërtesën komunale", tha Afërdita Shahini nga sektori i kurorëzimeve pranë komunës Dibër.

Sipas saj, numri më i madh i kurorëzimeve janë nga të rinjtë të cilët jetojnë në ndonjë vend të BE-së, kryesisht në Itali, Zvicër, Gjermani, ndërsa kanë origjinë nga Dibra. 

"Kur flasim për kurorëzime në komunën Dibër duhet të theksojmë se banorët e fshatrave Xhepishtë dhe Otishan kanë zyrë në Drejtorinë e Evidencës Amë ku mund të lidhin kurorë. Aty janë regjistruar nëntë kurorëzime këtë vit, sepse të rinjtë nga këta dy fshatra më shpesh këtë e bëjnë në Dibër", thekson Shahini. 

Për shkak të migrimit masiv, disa vite me radhë numri i martesave nuk mund të krahasohet me martesat e mëparshme. Nëse para më shumë se një dekade kishte rreth 300 kurorëzime në vit, tani mesatarisht ka nga 100 kurorëzime. fc/

Fotografia: MIA



QËNDRONI TË LIDHUR