Për shkak të mungesës së naftës, është reduktuar transporti me autobus në Shkup
- – Në Shkup sot pasdite qarkullojnë vetëm 25 autobusë, ndërsa të tjerët janë parkuar në autobazat e NQP “Shkup” në Autokomandë dhe Gjorçe Petrov për shkak të mungesës së naftës.
- Post By Fitore Curri
- 17:29, 20 nëntor, 2024
Shkup, 20 nëntor 2024 (MIA) – Në Shkup sot pasdite qarkullojnë vetëm 25 autobusë, ndërsa të tjerët janë parkuar në autobazat e NQP “Shkup” në Autokomandë dhe Gjorçe Petrov për shkak të mungesës së naftës.
Afrim Muça, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Shoferëve në NQP “Shkupi” për MIA-n deklaroi se situata është shumë serioze, madje edhe alarmante sepse, siç tha, gati 70 për qind e autobusëve janë parkuar.
“Përgjigjja është e thjeshtë, nuk ka naftë. Sot në mëngjes shoferët janë thirrur të vijnë në punë, por ata janë në bazat në Autokomandë dhe Gjorçe Petrov bashkë me autobusët pasi nuk ka naftë dhe TNG. Për momentin mendoj se rreth 70 për qind e autobusëve të NQP-së janë të parkuar në baza. Një numër i vogël autobusësh që janë mbushur me naftë dy ditë më parë, si dhe automjete me TNG, qarkullojnë nëpër qytet. Për funksionimin normal të NQP-së në baza ditore nevojiten 25 tonë naftë, të cilën nuk e marrim. Naftën zakonisht na e dërgon ‘Pucko Petrol’ në bazat e NQP ‘Shkupi’, por meqenëse kemi borxh të madh, nuk na dërgojnë naftë këto ditë. Në NQP ‘Shkup’ punojnë 1.200 njerëz dhe nuk do të lejojmë që askush të luajë me fatet e tyre”, tha Muça.
Paralajmëroi se ka mundësi që nesër aspak të mos qarkullojnë autobusët nëse gjatë ditës nuk u dërgohet naftë. Theksoi se Sindikata e Pavarur e Shoferëve në NQP “Shkupi” nga e premtja do të vendosë se çfarë veprime të mëtutjeshme do të ndërmarrë nëse nuk rregullohet situata në ndërmarrjen publike të qytetit.
Transportuesit privatë në Qytetin e Shkupit “Jofi Bus”, “Vestor Trans”, “Rados Kompani” sot përmes një kumtese u bëjnë thirrje kompetentëve që menjëherë të organizohet mbledhje e gjerë me qëllim të zgjidhjes së problemit me transportin publik të qytetit.
“Jemi dëshmitarë të gjendjes me transportin publik urban në Qytetin e Shkupit, e cila dita-ditës po përkeqësohet. I bëjmë edhe një herë një apel publik autoriteteve që të zhvillojnë menjëherë një mbledhje të zgjeruar për të zgjidhur problemin me transportin publik të qytetit. Transportuesit privatë kanë 200 autobusë të pashfrytëzuar plotësisht dhe me të cilët mund të kompensojmë mungesën e autobusëve të NQP-së”, thuhet në kumtesë.
Sipas transportuesve privatë, që të përmbushet në tërësi itinerari dimëror me vendim të Këshillit për transport të linjave të udhëtarëve në Qytetin e Shkupit nevojiten 352 autobusë ose me ata rezervë gjithsej 444 autobusë. Bëjnë të ditur se për momentin në nivel ditor mungojnë prej 160 deri 200 autobusë.
“Transportuesit privatë nuk mund t’i përgjigjen itinerarit për këto shkaqe: borxhe të papaguara nga qershori, nuk kemi raporte të verifikuara për muajt korrik, gusht, shtator dhe tetor, çmim i ulët për kilometra të kaluara, me të cilën nuk mund t’i mbulojmë shpenzimet bazë”, qëndron në kumtesë.
Nga “Jofi Bus”, “Vestor Trans” dhe “Rados Kompani” thonë se nuk është i saktë informacioni i cili ishte plasuar në publik se nëse nuk rritet çmimi për kilometër të kaluar te transportuesit privatë do të nënkuptojë edhe rritje të çmimit të biletës.
“Informacioni që u plasua në publik se nëse do të rritet çmimi për një kilometër të kaluar te transportuesit privatë do të thotë edhe rritje e çmimit të biletës, ne pohojmë me përgjegjësi se nuk është kështu, por nevojitet reformë në transportin publik urban. Jemi veprimtaria e fundit ku nuk ka rritje page, nuk kemi shkop magjik për të kompensuar humbjet. Me rritjen e çmimit do të mund të punojmë me fitim, por përdoruesit tanë do të kenë edhe autobusë më të rinj ekologjikë me ajër të kondicionuar”, thuhet në kumtesën e “Jofi Bus”, “Vestor Trans” dhe “Rados Kompani”.
Kryetari i Komunës Shuto Orizarrë, Kurto Dudush, sot ju bëri thirrje qytetarëve për protestë, e cila është caktuar për të premten, më 22 nëntor.
“Përmes protestës presim që t'i përcjellim porosinë kryetares së qytetit të Shkupit dhe NQP-së që qytetarët e komunës së Shuto Orizarit dhe në përgjithësi qytetarët e qytetit të Shkupit t’i marrin shërbimet për të cilat paguajnë dhe se mosfunksionimi i transportit publik për vitin e dytë jo vetëm që ndikon në përkeqësimin e situatës ekonomike të qytetarëve që duhet të përdorin transportin privat, por ndikon edhe në humbjen e vendeve të punës për shkak të parregullsive në punë, mungesës së nxënësve në orë dhe mosvizitat te mjekët nga të moshuarit dhe personat e sëmurë”, informon Dudush. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s