• e enjte, 26 dhjetor 2024

Për shkak të Izraelit Bajdeni mund të humbasë votat e myslimanëve dhe arabëve amerikanë

Për shkak të Izraelit Bajdeni mund të humbasë votat e myslimanëve dhe arabëve amerikanë

26 tetor 2023  

Hina

 Arabët dhe myslimanët amerikanë e kritikojnë përgjigjen e presidentit Xho Bajdenit ndaj luftës midis Izraelit dhe Hamasit, duke kërkuar që ai të bëjë më shumë për ta parandaluar krizën humanitare në Gazë ose do të rrezikojë ta humbasë mbështetjen e tyre në zgjedhjet e vitit 2024.

Shumë amerikanë me orrigjinë arabe e akuzojnë Bajdenin se nuk ka bërë mjaftueshëm për një armëpushim humanitar edhe krahas kësaj që palestinezët vdesin duke ikur nga bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës, deklaruan më shumë se dhjetëra profesorë, aktivistë, anëtarë të komunitetit dhe përfaqësues të administratës.

 A mundet Bajdeni ta humbasë Miçigenin?

 Rritja e frustracionit mund të ndikojë në rizgjedhjen e Bajdenit në një garë në të cilën kundërshtari i tij më i mundshëm do të jetë ish-presidenti Donald Trampi.

Në Miçigen, që ndonjëherë voton për demokratët, ndërsa ndonjëherë për republikanët, arabo-amerikanët përbëjnë pesë për qind të votuesve. Në shtetet dypartiake si Pensilvania dhe Ohajo, mbështetja arabe është 1.7 për qind deri në 2 për qind, deklaroi  Xhim Zogbi, kryetar i Institutit Arabo-Amerikan.

Bajdeni në vitin 2020  e fitoi Miçigenin me 50.6 për qind të votave, ndërsa Trampi  në këtë shtet amerikan mori 47.8 për qind të votave. Pensilvania ishte për Bajdenin me 50.01 për qind të votave, ndërsa për Trampin votuan 48.84 për qind, me një diferencë prej më pak se 81.000 vota.

Nuk ka gjasa që amerikanët arabë dhe myslimanë ta mbështesin Trampin, por ata mund të abstenojnë dhe të mos votojnë për Bajdenin, theksojnë disa aktivistë. 

 "Mendoj se këtë do ta bëjë Miçigeni", deklaroi tha Lajla El-Hadad, shkrimtare dhe aktiviste nga Gaza që jeton në Merilend.

 Abdullah Hamud, kryebashkiaku i parë arab i Dirborn, Miçigen, shtëpia e komunitetit më të madh mysliman të Amerikës, e kritikoi Bajdenin  që nuk e dënoi hapin e Izraelit për ndërprerjen e  ujit dhe energjisë elektrike për më shumë se dy milionë palestinezë në Gazë.

 "Bombardimi izraelit në Gazë kufizohet me gjenocid. Asgjë nuk mund të na kishte përgatitur për një fshirje të plotë të votave tona dhe heshtje të plotë të atyre që i zgjodhëm  të na mbrojnë dhe përfaqësojnë", ka shkruar ai në platformën X.

 "Anëtarët e familjeve tona të bllokuar në Gazë janë të injoruar, thirrjet tona për një armëpushim janë shtypur nga daullet e luftës", shtoi ai.

Bombardimi izraelit në Gazë "tani kufizohet me gjenocid që synon të gjithë popullsinë palestineze", bëri të ditur CAIR, grupi më i madh për të drejtat myslimane në SHBA, duke shtuar se përfaqësuesit qeveritarë do të jenë "bashkëpërgjegjës për spastrimin etnik të Gazës" nëse nuk ndërhyjnë.

 "Nëse e shikoni retorikën, është e pabesueshme që tani ata po përpiqen të pompojnë miliarda e miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin, së bashku me 100 milionë dollarë ndihmë humanitare për palestinezët", tha Saed Atshani, një kuaker amerikan, i cili ligjëroan studime të paqes në Universitetin Svartmor në Pensilvani.

 Madje edhe ish-shefi i Bajdenit, Presidenti Barak Obama, zakonisht një mbështetës i flaktë i politikave të Bajdenit, të hënën publikusht ofroi këshilla të ashpra, duke i bërë thirrje SHBA-së të vazhdojë të udhëheqë botën "në përshpejtim të ndihmës kritike dhe furnizimit për popullsinë gjithnjë e më të dëshpëruar të Gazës".

 Foto: EPA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR