• e premte, 27 dhjetor 2024

Për projektimin e rrugës eksprese nga Kumanova në Rankovce aplikohet përmes programit IPA 3

Për projektimin e rrugës eksprese nga Kumanova në Rankovce aplikohet përmes programit IPA 3

Shkup, 25 maj 2023 (MIA) - Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është duke planifikuar projektimin e rrugës së re eksprese nga Kumanova në Rankovcë dhe ka aplikuar për mjete përmes programit IPA 3, njoftoi sot ministri kompetent  Blagoj Boçvarski, në një ngjarje me të cilën përfundoi rehabilitimi i rrugës kryesore nga Kumanova në Stracin në degën lindore të Korridorit 8.

Për rindërtimin e rrugës prej 31,2 km të gjatë janë investuar 11,8 milion euro në dy faza,nga Kumanova në fshatin Vojnik, 15 km, dhe nga Vojniku në Stracin, 16 km. Aktivitetet përfshinin rehabilitimin e unazës afër Kumanovës.

"Në vazhdimësi të këtij projekti, po ndërtojmë rrugën eksprese Rankovce-Kriva Pallankë, me një investim prej mbi 60 milionë euro, po ashtu po punohet në zgjerimin e rrugës Kriva Pallankë - VK Dever Bair me korsi të tretë, për të cilën po investohen 12 milionë euro. Planet tona përfshijnë projektimin e një rruge të re të shpejtë nga Kumanova në Rankovcë, për të cilën tashmë kemi aplikuar përmes programit IPA 3. Me gjithë këto projekte kapitale, ne po e mbyllim plotësisht pjesën lindore të Korridorit 8 si një rrugë e re moderne që do t'i japë rëndësi të madhe ekonomike Maqedonisë", tha Boçvarski.

Ai përsëriti se Qeveria mbetet e përkushtuar për përfundimin e korridoreve evropiane 8 dhe 10d dhe se hartimi i Korridorit 8 si një nga korridoret kryesore evropiane do të thotë mbështetje e madhe nga BE-ja, mjete financiare shtesë dhe motiv për të përfunduar sa më shpejt ndërtimin e tij.  sa/

foto. MIA

QËNDRONI TË LIDHUR