• e shtunë, 23 nëntor 2024

Për një javë nga Gostivari u larguan 11 mijë kurbetçarë

Për një javë nga Gostivari u larguan 11 mijë kurbetçarë

Gostivar, 7 janar 2024 (MIA) - Fundjava e fundit e pushimeve në Gostivar ishte e gjallë për shkak të largimit të kurbetçarëve, të cilët erdhën për festat e Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve. Prezenca e tyre në dy javët e fundit ishte e dukshme në restorante, dyqane dhe kryesisht në rrugë. Këtë javë, bllokimi më i madh ishte në stacionin e autobusëve ku nisen shumica e autobusëve drejt destinacioneve ndërkombëtare.

Këto ditë, në rrjetet sociale dhe në biseda midis banorëve të Gostivarit, ashtu si në fund të verës dhe në këtë periudhë çdo vit, bëhen komente sa nga njerëzit tanë kanë ardhur në vendlindjen e tyre.

Vlerësimet e fundit të bazuara në raportet e agjencive turistike dhe transportuesve tregojnë se numri i njerëzve në Gostivar është dyfishuar në dy javët e fundit. Për përgjigje, iu drejtuam disa operatorëve dhe agjencive të udhëtimit që kanë të dhëna.

Vlerësimet e punëtorëve dhe transportuesve turistikë janë se këtë vit, vetëm në javën e parë të janarit, nga Gostivari janë nisur dyqind autobusë për në destinacionet perëndimore, të cilët mesatarisht transportojnë 55-60 udhëtarë, kështu që siç thonë ata, llogaritja e përafërt është se në një javë kanë udhëtuar të paktën 11 mijë udhëtarë.

Rrëmuja që mbretëroi këto ditë në rrugët e Gostivarit dhe fshatrave përreth nuk është më që nga dje dhe siç thonë banorët e Gostivarit tashmë mund të “merret frymë”.

Efekti pozitiv i ardhjes së kurbetçarëve u ndje më së shumti nga punonjësit e hotelierisë dhe tregtarët. Shumica prej tyre konfirmuan se kishin disa herë rritje të shitjeve. Pushimet dimërore i shfrytëzuan edhe disa kurbetçarë për të marrë pjesë në festimet dhe dasmat familjare. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR