• e enjte, 26 dhjetor 2024

Për ligjin e ri për paga tashmë ka propozime të cilat shqyrtohen, së shpejti masa të reja kundër krizës

Për ligjin e ri për paga tashmë ka propozime të cilat shqyrtohen, së shpejti masa të reja kundër krizës

Shkup, 26 tetor 2023 (MIA) - Për ligjin e ri për paga, grupi i punës tashmë ka mendime të caktuara, kemi propozime, konsultohemi në Qeveri me të gjithë ministrat, deklaroi sonte zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi. 

Ai në një emision në TV Kanal 5, tha se së shpejti do të duhej të ketë zgjidhje ligjore për pagat. 

"Nesër tashmë kemi biseda të caktuara me nëpunës të gjykatës, vetëm sa për të kujtuar se pagat e tyre janë rritur mbi 70 për qind në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2023. Nesër do të dëgjojmë se cilat janë kërkesat e tyre, pritshmëritë e tyre realisht, do të vijnë përfaqësuesit e AOGJSH-së, të sindikatave dhe do të shohim se cilat janë pritshmëritë e tyre", theksoi Bytyqi.

Në lidhje me rritjen e pagave të funksionarëve ai përkujtoi se kjo vjen pas një urdhëri gjyqësor, dhe se vullneti politik ekziston për ndryshim të kësaj situate, por ishte e nevojshme që të ndryshohen shtatë ligje, ndërsa gjatë kësaj të pyeten të gjithë faktorët për të cilët kanë të bëjnë ato ligje. 

Shtoi se përmes dialogut së shpejti do të gjendet zgjidhje.

"Unë jam për dialog, ne do të gjejmë zgjidhje, kemi treguar se përmes dialogut kemi gjetur zgjidhje, siç është shembulli me zgjidhjen sistematike të pagave në sektorin publik që e kemi gjetur së fundmi", tha Bytyqi.

Bytyqi gjithashtu paralajmëroi se së shpejti do të ketë edhe masa të reja për mbështetje financiare të qytetarëve, pako të masave kundër krizës, ndërsa me Ligjin për pensionin minimal do të përfundojë procesi i reformave. 

Ai theksoi se Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja e ka mbështetur standardin e qytetarëve dhe kompanive në kohë krize me zgjidhje sistematike dhe masa në kohë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe se pensionistët do të jenë pjesë e pakos së re të masave kundër krizës. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR