• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani-Dokerti: Mbështetje britanike për procesin tonë të anëtarësimit në BE si investim në stabilitetin dhe prosperitetin e vendit

Osmani-Dokerti: Mbështetje britanike për procesin tonë të anëtarësimit në BE si investim në stabilitetin dhe prosperitetin e vendit

Shkup, 6 tetor 2023 (MIA) -  Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në Tiranë realizoi takim me Ministrin për Evropën të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Leo Dokerti, në margjinat e takimit ministror në kuadër të Procesit të Berlinit.

Të dy bashkëbiseduesit i përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve partnere, ndërsa Ministri Osmani falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme britanike për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit.

Ministri Osmani informoi për dosjen evropiane të shtetit dhe procesin e ndryshimeve kushtetuese, si hap i domosdoshëm për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Realiteti i ri gjeopolitik injektoi dinamikë të re në proceset integruese evropiane të vendeve të rajonit. Bashkimi i kontinentit në kuadër të Unionit tashmë nuk është vetëm një çështje e integrimit ekonomik apo çështje politike, por çështje sigurie. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë gjasë që vjen vetëm një herë dhe të përmbushim kushtin e mbetur politik për ndryshimet kushtetuese dhe pa vonesë të vazhdojmë me hapjen e Klasterit të Parë deri në fund të vitit 2023", theksoi Osmani.

Dokerti përsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar se vazhdimi i procesit tonë të anëtarësimit është investim në stabilitetin dhe prosperitetin e vendit, ndërsa do të forcojë edhe kredibilitetin e Bashkimit Evropian.

Në takim u shkëmbyen mendime për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajon dhe tema të tjera aktuale ndërkombëtare.

Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, informoi për aktivitetet e radhës të Organizatës, si dhe për sfidat e ardhshme që kërkojnë përgjigje të përbashkët.

Gjatë takimit ministror, Ministri Osmani zhvilloi edhe takime të tjera me përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, theksojnë nga MPJ. sa/

Foto: MPJ

QËNDRONI TË LIDHUR