• e martë, 24 dhjetor 2024

Osmani-Borrel: Me mbështetjen e BE-së dhe aksion diplomatik, OSBE-ja do të kontribuojë për sigurinë evropiane

Osmani-Borrel: Me mbështetjen e BE-së dhe aksion diplomatik, OSBE-ja do të kontribuojë për sigurinë evropiane

Shkup, 31 janar 2023 (MIA) – Maqedonia e Veriut, si vend kryesues, do të respektojë me përpikëri parimet dhe vlerat themelore të OSBE-së. Fokusi i Organizatës do të jetë Ukraina, gjegjësisht siguria e njerëzve në një kohë të pasigurisë dhe jostabilitetit rajonal dhe global, theksoi  sot kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani në takimin me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendës kryetarin e Komisionit Evropian, Zhozef Borrell në Bruksel.

Gjatë vizitës, Osmani e theksoi marrëdhënien e natyrshme dhe të fortë ndërmjet BE-së dhe OSBE-së, si dhe të gjitha vendeve pjesëmarrëse të Organizatës, e cila është hapësirë ​​e favorshme për punë të përbashkët dhe përmbushje të obligimeve të përbashkëta.

“Presidenca jonë këtë vit do të udhëhiqet nga detyrimet e dakorduara tashmë të të 57 vendeve pjesëmarrëse të Organizatës. Ne nuk do të bëjmë kompromise që do të rrezikojnë dokumentet bazë dhe vendimet e miratuara me konsensus të OSBE-së. Sfida më e madhe mbetet agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës. Është një luftë e pajustifikuar kundër një shteti të pavarur, anëtar të OSBE-së. Federata Ruse me agresionin e saj ushtarak kundër Ukrainës ka shkelur në mënyrë flagrante Dokumentin Përfundimtar të Helsinkit dhe të gjitha zotimet dhe parimet e Organizatës”, tha Osmani.

Sipas tij, OSBE-ja i ka të gjitha mekanizmat dhe mjetet që ofrojnë mbështetje konkrete për njerëzit e të gjitha vendeve pjesëmarrëse në Organizatë, sepse siç theksoi ai, në fund të çdo gjëje, “fjala është për njerëzit”.

Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut do t’i përcjellë njohuritë dhe përvojën e saj në rajonin e OSBE-së përmes kryesimit të saj me Organizatën.

“Maqedonia e Veriut, përmes marrëdhënieve ndër-etnike, kulturës së dialogut që imponoi, kulturës së kompromisit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, krijoi imazh për shtetin, si dhe për njohje në bashkësinë ndërkombëtare. Jemi model në rajon për demokraci funksionale multietnike, me të drejta të garantuara për të gjitha komunitetet që jetojnë në Maqedoninë e Veriut”, theksoi Osmani.

Në takimin mes Osmanit dhe Borrelit, u bisedua për përkushtimin e BE-së dhe bashkëpunimin e ngushtë me delegacionet e saj në Shkup dhe Vjenë, të cilat ishin me rëndësi kyçe në të gjitha fazat e përgatitjes së Maqedonisë së Veriut për të marrë kryesimin e OSBE-së. Kryesuesi i OSBE-së theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet OSBE-së dhe BE-së, i cili do të kontribuonte në funksionalitetin e Organizatës.

“Vendet anëtare të BE-së janë edhe pjesëmarrëse në OSBE. Sinergjia ndërmjet këtyre dy organizatave mund të ndihmojë në avancimin e proceseve që ndonjëherë duken të bllokuara në Hofburg”, theksoi Osmani.

Në fund të takimit ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet një partner kredibil i bashkësisë ndërkombëtare dhe BE-së, duke respektuar vlerat dhe parimet e saj. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut, tani si vend negociues për anëtarësim në BE, synon të kryesojë me Këshillin e BE-së në të ardhmen e afërt.

“Ne i jemi të përkushtuar kësaj detyre dhe jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të KE-së dhe zëvendës kryetarit Borrel, por edhe të institucioneve të tjera të BE-së dhe shteteve anëtare. Suksesi ynë do të jetë sukses i përbashkët”, tha Osmani. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR