• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Osmani: Zbatimi i njëanshëm i pjesës tonë të marrëveshjes me Serbinë vetëm në zëvendësim të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Osmani: Zbatimi i njëanshëm i pjesës tonë të marrëveshjes me Serbinë vetëm në zëvendësim të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Prishtinë, 21 nëntor 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se Serbia, nëse nuk e përmbushë pjesën e vet të zbatimit të marrëveshjes, atëherë si alternativë e asaj duhet të jetë diskutimi me aleatët për zbatimin e pjesës sa i përket Kosovës, por "vetëm si zëvendësim për garanca ndërkombëtare, të cilat përfshijnë anëtarësimin në NATO dhe organizatat ndërkombëtare", lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në fjalimin e saj vjetor para Kuvendit të Kosovës, Osmani tha se për të, sa i përket marrëveshjes me Serbinë, "më i rëndësishëm është nënshkrimi i presidentit të Amerikës se sa nënshkrimi i presidentit të Serbisë".

"Atë që e thashë është se, së pari, zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse e zbatojnë të dyja palët, ndërkaq së dyti, si alternativë, si presidente e shtetit, besoj se nëse përfundimisht shihet se Serbia nuk do ta implementojë pjesën e saj të marrëveshjes (që besoj se nuk do ta bëjë, madje edhe ta nënshkruajë), atëherë do të duhet të bisedojmë me aleatët tanë, për zbatim të pjesës sonë, vetëm në zëvendësim të garancave ndërkombëtare të cilat përfshijnë anëtarësimin në NATO dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe mbështetje për njohje të reja. Sinqersisht, për mua më i rëndësishëm është nënshkrimi i presdientit të Amerikës se sa nënshkrimi i presidentit të Serbisë", tha Osmani.

Sipas saj, dialogu me Serbinë, i kryesuar nga BE-ja, "për fat të keq, tërësisht është i disbalancuar me trajtim jo të drejtë për Kosovën dhe nënshtrim i vazhdueshëm ndaj Serbisë".

"Fakti që sot në tryezë negociuese shteti që kresu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, përderisa viktima e këtij agresioni, Kosova, është nën masa, është dëshmia më e qartë për këtë", tha presidentja e Kosovës.

Prandaj, konsideron ajo, "është imperativ të ketë mendime për këtë qasje, nga të gjithë ata të cilët me të vërtetë dëshirojnë paqe afatgjate dhe stabilitet në rajonin tonë".

Ajo tha se propozimi i saj i mëparshëm, drafti i Asociacionit të komunave me popullatë shumicë serbe në Kosovë të bisedohet me SHBA-në, "në mënyrë që kjo çështje të mos i lihet (Mirosllav) Lajçakut apo të tjerëve të cilët besojnë në pavarësinë e Kosovës", atëherë "ishte sulmuar në mënyrë më të ulët, me çfarëdo lloj shpifjesh, deri te akuzat për tradhti kombëtare".

"Ndërkaq ku jemi sot? Ne jemi mu në momentin ku kërkohet e vërteta - ne ta përpunojmë draftin. Por, siç dihet, vendimet e vërteta duhet të sillen në moment të vërtetë", tha Osmani. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR