• e premte, 27 dhjetor 2024

Osmani - Xhaçka: Një mundësi reale dhe e arritshme për anëtarësim të plotë në BE është viti 2030

Osmani - Xhaçka: Një mundësi reale dhe e arritshme për anëtarësim të plotë në BE është viti 2030

Shkup, 27 mars 2023 (MIA) - Edhe një herë me sukses po e kalojmë procesin e skriningut, duke zbatuar reformat e brendshme dhe me vendosmëri ecim drejt anëtarësimit të plotë në BE. Viti 2030 është një mundësi reale dhe e arritshme që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ta përfundojnë me sukses këtë proces dhe unë personalisht besoj në të, theksoi sot ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen e tij shqiptare Olta Xhaçka.

Në takimin me ministren shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, siç theksoi, ranë dakord që ne ndajmë të njëjtat prioritete strategjike të politikës së jashtme.

"Aleatët në NATO me harmonizimin qind për qind të politikës së tyre të jashtme me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, kjo dërgon një mesazh të qartë për përkatësinë dhe përkushtimin tonë të qartë ndaj parimeve dhe vlerave perëndimore", tha Osmani.

Lidhja infrastrukturore përmes Korridorit 8, siç bëri me dije Osmani, mbetet prioritet, për të cilin janë duke u bërë përgatitjet për fillimin e lidhjes së autostradës.

"Duhet të vazhdojmë me aktivitete intensive për zbatimin e detyrimeve dhe shfrytëzimin e përfitimeve në kuadër të iniciativave rajonale, këtu e kam fjalën në radhë të parë për procesin e Berlinit. Bashkëpunimi ekonomik është i suksesshëm, por i pamjaftueshëm, na duhet obligimi ynë që bizneseve dhe qytetarëve t'u ofrojmë edhe më shumë potencial për shkëmbim dhe bashkëpunim", thekson Osmani.

Ministrja shqiptare Xhaçka tregoi se u diskutua për mënyrat për intensifikimin e bashkëpunimit jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në fushën e energjisë, tregtisë, kulturës, turizmit dhe arsimit.

"Ne ndajmë një vizion të përbashkët. Qeveritë tona kanë komunikim miqësor dhe konstruktiv për një gamë të gjerë çështjesh. Ndihem krenare që bashkëpunimi mes dy vendeve është model i bashkëpunimit mes fqinjëve në rajonin tonë. Vendet tona jo vetëm që kanë sukses të intensifikojnë gjërat në nivel dypalësh, por japin një kontribut gjithnjë e më të madh në kuptimin rajonal, veçanërisht në garantimin e orientimit të saj drejt perspektivave euroatlantike", tha Xhaçka.

Nesër, siç bën me dije Osmani, do të mbahet takimi ministror i SHBA-Kartës së Adriatikut nën presidencën e vendit tonë, ku do të diskutohen sfidat rajonale, si dhe situata e re në marrëdhëniet ndërkombëtare e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë. ls/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR