• e martë, 02 korrik 2024

Osmani - Uellç: Rezoluta e Senatit të SHBA-së konfirmon se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk ka alternativë

Osmani - Uellç: Rezoluta e Senatit të SHBA-së konfirmon se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk ka alternativë

Shkup, 19 mars 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot zhvilloi bisedë telefonike me senatorin amerikan, Peter Uellç, i cili e propozoi Rezolutën për mbështetje të integrimit në BE të Maqedonisë së Veriut..

Gjatë bisedës, ministri Osmani e falënderoi senatorin Uellç për dorëzimin e Rezolutës në Senatin e ShBA-së për mbështetjen e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Njëherit, theksoi se Rezoluta, e cila mbështetet nga senatorët e Partisë Demokratike dhe Republikane, nga njëra anë paraqet konfirmim shtesë se procesi ynë i integrimit evropian nuk ka alternativë, por në të njëjtën kohë është edhe inkurajim për Unionin se duhet të përshpejtohet rruga jonë drejt anëtarësimit të plotë.​

"Rezoluta është edhe një demonstrim i mbështetjes së fuqishme të SHBA-së për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe dëshmi e aleancës së fortë mes dy vendeve në përmbushjen e qëllimit të përbashkët strategjik – anëtarësimit tonë në BE. Ajo është në linjë edhe me angazhimet tona të përbashkëta në kuadër të Dialogut Strategjik me SHBA-në, të cilin e kemi lançuar me sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken në qershor të vitit 2022", theksoi Osmani.

Bashkëbiseduesit, duke iu referuar tekstit të rezolutës, përshëndetën progresin e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e Agjendës së Reformave, mbështetjen për Ukrainën, si dhe partneritetin afatgjatë strategjik dhe aleancën në NATO ndërmjet dy vendeve. Po ashtu u theksua edhe lidershipi i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut gjatë kryesimit të OSBE-së në vitin e kaluar dhe konkretisht vizita e fundit e Sekretarit të Shtetit, Blinken, në vend dhe takimi me ministrin Osmani.

Rezoluta për mbështetjen e hyrjes së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian sponsorizohet nga Senatori Demokrat i Vermontit, Peter Uellç, senatori demokrat i Nju Hampshir, Xhin Shahin dhe senatorët republikanë të Nebraskës dhe Karolinës së Veriut, Pit Rikets dhe Tom Tillis. ab/

Fotо: МРJ

QËNDRONI TË LIDHUR