• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani: Shpresën e vetme që ta përmirësojmë gjyqësorin e shoh në hapjen e Kapitujve 23 dhe 24

Osmani: Shpresën e vetme që ta përmirësojmë gjyqësorin e shoh në hapjen e Kapitujve 23 dhe 24

Shkup, 2 korrik 2023 (MIA) - Po e humbas shpresën se të vetëm mund ta përmirësojmë gjyqësorin. Shpresën e vetme e shoh në hapjen e Kapitujve 23 dhe 24 dhe përfshirjen e mekanizmave të Bashkimit Evropian në atë pjesë, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. 

I pyetur për qëndrimin e Departamentit të Shtetit amerikan për përzierjen politike në gjyqësor, Osmani theksoi se edhe një herë, çështja e hapjes së kapitujve po bëhet kyçe, jo vetëm për perspektivën e përgjithshme të shtetit, por edhe për proceset e brendshme. 

"Provuam gjithçka, me ligjet më të mira. Më besoni, nuk ka ligje më të mira dhe ligje më radikale, siç janë ligjet tona në fushën e drejtësisë. Mendoj se nuk ka ndonjë vend tjetër ku ka një pikë të vetme hyrjeje në gjyqësi dhe prokurori, përveçse nëpërmjet Akademisë. Edhe vendet anëtare të BE-së janë tërhequr nga një vendim i tillë, sepse është një zgjidhje tepër radikale, por ja problemet janë këtu", deklaroi Osmani, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e sotme për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Zgjidhja e vetme është BE-ja, theksoi Osmani, duke theksuar se politikanët të cilët flasin për luftë kundër korrupsionit, reforma dhe besim në gjyqësor, ndërsa nga ana tjetër e pengojnë hapjen e Kapitullit 23 dhe 24, është demagogji e pastër, populizëm dhe politikëbërje. 

"Nuk shkojnë njëra me tjetrën. Nuk ka reforma në gjyqësor, nuk ka kthim të besimit, nuk ka luftë kundër korrupsionit pa hapjen e Kapitujve 23 dhe 24", theksoi Osmani. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR