Osmani: Seanca përgatitore është vazhdimi i procesit të shfuqizimit të Ligjit për gjuhët
- – Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani ka shprehur mospajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të mbajë seancë përgatitore për nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
- Post By Fitore Curri
- 12:31, 11 dhjetor, 2024
Shkup, 11 dhjetor 2024 (MIA) – Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani ka shprehur mospajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të mbajë seancë përgatitore për nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Në deklaratë për mediat pas seancës së sotme të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin nuk ishin të pranishëm gjykatësit Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, ndërsa gjykatësi Fatmir Skender vendosi të mos merr pjesë në debatin për këtë pikë, Osmani theksoi se është e palejueshme që në një shtet multietnik organi më i lartë të mbajë mbledhje me përbërje monoetnike, veçanërisht në tema të ndjeshme.
“Si përfaqësues legjitim nga zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare në emër të popullit shqiptar, së pari duam ta dënojmë vazhdimin e mbledhjes së Gjykatës Kushtetuese me përbërje monoetnike. Porosia e tre gjykatësve kushtetues nga bashkësitë etnike me mospjesëmarrjen e tyre ishte sinjal i mjaftueshëm që të ndërpritet mbledhja menjëherë”, deklaroi Osmani.
Ai shtoi se në emër të popullit shqiptar e refuzon çdo vendim i cili nënkupton vazhdimin e procesit të shfuqizimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Vendimi i vetëm i drejtë të cilin duhej ta miratonte sot Gjykata Kushtetuese është që t’i hedhë poshtë të gjitha 13 nismat dhe të mbyllet kjo çështje. Caktimi i seancave përgatitore është vetëm vazhdimi i procesit të shfuqizimit të Ligjit të gjuhëve”, theksoi Osmani.
Sipas tij, kjo nuk është vetëm kauzë për gjuhën shqipe, por edhe për mbrojtjen e Maqedonisë multietnike evropiane.
“Ne presim mbështetje nga të gjitha bashkësitë etnike për të izoluar forcat që, në vend që të ndërtohen mbi atë që kemi ndërtuar deri më tani drejt një Maqedonie të Veriut shumë-etnike të begatë evropiane, tolerante, po na kthejnë 20 vjet prapa”, shtoi ai.
Konfirmoi se do të vazhdojnë me rezistencën ndaj, siç tha, shfuqizimit të gjuhës shqipe dhe drejt barazisë, dhe paralajmëroi se populli do të jetë i pranishëm kur Gjykata Kushtetues do ta vazhdojë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë.
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut sot vendosi të mbajë seancë përgatitore për debatin për nismat për vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Në mbledhjen e parë të ardhshme të punës do të shqyrtohen propozimet për çështje kontestuese dhe pjesëmarrësve në debat.
Lënda për Ligjin për gjuhët përbëhet nga 13 nisma nga qytetarë të ndryshëm, parti politike, shoqata, i formuar në vitin 2019, ndërsa u bë aktual këtë vjeshtë pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Parashtrues të iniciativave për kontestimin e dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve janë partitë VMRO-DPMNE dhe E Majta, Shoqata “Kongresi Botëror Maqedonas”, Sollza Gërçeva, Tanja Karakamisheva Jovanovska, Jove Kekenovski, si dhe Vasko Lazeski, Ivana Mitevska, Tome Todorovski, Klementina Brzanovska dhe Vlladimir Stefanovski.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë, gjashtë prej të cilëve janë maqedonas dhe tre nga bashkësitë më të vogla etnike - dy shqiptarë dhe një turk. fc/
Fotografia: Printskrin