• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani: Politikanët e papërgjegjshëm rrezikojnë të përsërisin gabimin e vitit 2008 në Bukuresht

Osmani: Politikanët e papërgjegjshëm rrezikojnë të përsërisin gabimin e vitit 2008 në Bukuresht

Shkup, 18 dhjetor 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani konsideron se me mosmiratimin e ndryshimeve të nevojshme kushtetuese rrezikohet vendit t'i përsëritet gabimi në Bukuresht në vitin 2008, kësaj radhe me ngecje në rrugën eurointegruese.

"Gjatë intervistës së sotme për “Slloboden Peçat”, komentoi dhe përshëndeti vendimin gjeopolitik të Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave me Ukrainën, duke theksuar: “Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë të shqetësuar nga vendimi pozitiv i BE-së për Ukrainën, por nga politikanët që, duke mos miratuar amendamentet e nevojshme kushtetuese, rrezikojnë të përsërisin gabimin e vitit 2008 në Bukuresht", thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Sipas Osmanit, kjo do të nënkuptonte një bllokim afatgjatë të shtetit në rrugën e integrimeve evropiane, gjegjësisht rreth çështjeve më të rëndësishme për qytetarët: për standardin, për vendimin e tyre nëse do të qëndrojnë këtu apo do të shkojnë jashtë vendit, për vendet e punës, për pagat e tyre, për shëndetësinë, për arsimin.

"Të zgjuarit mësojnë nga gabimet e të tjerëve, ndërsa jo të zgjuarit nga gabimet e tyre. Ne e vendosim veten në një situatë ku nuk mësojmë nga gabimet tona. Ne po lejojmë disa forca të errëta - nacionaliste, të rrëmbejnë të ardhmen tonë për agjenda personale. Jam i sigurt se më vonë do të gjejmë zgjidhje, sepse kohët nuk janë të Bukureshtit 2008, por teorikisht rreziku është që të humbasim edhe një dekadë", theksoi Osmani, duke u bërë thirrje partive opozitare që të mos qëndrojnë indiferente në këto kohëra kritike për të ardhmen e vendit, që të mendojnë për gjeneratat e ardhshme në vend, që të mendojnë për zgjedhjet e ardhshme. ab/

Foto: МIА arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR