• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Osmani: Për lëndën "Pacienti" të PSP-së, nuk ka pasur aktakuzë, koalicioni "Vlen" nuk ka ide në këtë fushatë zgjedhore

Osmani: Për lëndën

 Shkup, 17 prill 2024 (MIA)  - Kandidati për president të shtetit, Bujar Osmani, konsideron se koalicioni "Vlen"  nuk ka tema dhe kreativitet në fushatën zgjedhore dhe prandaj "flasin për çështje të vjetra dhe të hapura".

Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, ai ka reaguar ndaj deklaratës së një përfaqësuesi të koalicionit "Vlen" i cili pyeti nëse shqiptarët e meritojnë një kandidat për president për të cilin Prokuroria Speciale Publike në vitin 2016 hapi lëndën "Pacienti". 

 "Është një hetim i filluar nga një prokuror që aktualisht ndodhet në burg dhe është në listën e zezë të SHBA-së. Prokuroria e ka mbyllur menjëherë rastin dhe nuk ka pasur asnjë akuzë sepse është vlerësuar se ndërtimi i spitalit në Tetovë ka qenë në përputhje me ligjet dhe se jo vetëm nuk është bërë dëm, por përkundrazi, është mbrojtur  interesi i shtetit. Ashtu që, nuk ka pasur as akuzë, por një tentativë për diskreditim politik nga një njeri që aktualisht është në listën e zezë amerikane, që tregon qartë se ka pasur përfshirje ruse në atë përpjekje për diskreditim. Absolutisht nuk ka lidhje kjo çështje. Ata tashmë kanë humbur idetë dhe kreativitetin në këtë fushatë, të frikësuar nga disfata e madhe", deklaroi Osmani, duke iu përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas konferencës për shtyp për bashkësponsorizimin e rezolutës së KB-së për gjenocidin në Srebrenicë.

 Shtoi se edhe pse nuk po merret me të tjerët në fushatë zgjedhore, do t'i kundërvihet kundërshtarit Arben Taravari me çështjen e legjitimitetit në Aleancën për Shqiptarët.

 "Vendimi i gjykatës që, megjithatë, kundërkandidati im në mënyrë të paligjshme tentoi ta uzurpojë partinë e bën pak problematik dhe të padenjë për një fushatë. Për çështje të tilla duhet të bisedojmë, për të cilat ka vendime gjyqësore, e jo për këto çështje", tha Osmani.

Foto: MIA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR