• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani: OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës do t’i ruajnë parimet dhe vlerat e përbashkëta demokratike

Osmani: OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës do t’i ruajnë parimet dhe vlerat e përbashkëta demokratike

Shkup, 17 maj 2023 (MIA) - OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës ndajnë vlera dhe parime të përbashkëta të ndërtuara me dekada – mbrojtjen e demokracisë dhe arritjet e multilateralizmit që janë minuar nga agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës. “Të bashkuar për Evropë”, ashtu si titulli i sesionit, duhet të jetë edhe qëllimi i veprimit të mëtutjeshëm të këtyre dy organizatave të rëndësishme, të cilat e garantojnë arkitekturën evropiane të sigurisë që është e rrezikuar nga lufta në Ukrainë.

Këtë e potencoi kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në fjalimin në sesionin përfundimtar të Samitit të katërt të Këshillit të Evropës (KE) që mbahet në Rekjavik, Islandë.

“Pasojat dhe shpenzimet nga kjo luftë ndjehen në të gjithë Evropën, rajonin e OSBE-së dhe më gjerë. Por, zgjedhja jonë është që t’i mbrojmë vlerat dhe angazhimet tona të përbashkëta demokratike përmes rrjetit tonë të parimeve dhe arritjeve, të krijuara pikërisht që ta mbrojmë të ardhmen tonë”, tha Osmani.

Prioriteti kryesor në punën tonë, shtoi Osmani, do të jetë lehtësimi i vuajtjeve të njerëzve të prekur nga lufta dhe konfliktet e tjera, që frikohen për jetën dhe ekzistencën e tyre.

"Jam i bindur se OSBE-ja ka shumë mekanizma që mund t'i ofrojë për tejkalimin e situatave në të gjitha rajonet dhe ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për këtë. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për funksionalitetin e organizatës, për promovimin e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe e gjithë kjo në koordinim me partnerët nga Këshilli i Evropës", tha Osmani.

Në fjalimin e tij, Osmani iu referua përfitimeve të Maqedonisë së Veriut nga anëtarësimi në OSBE dhe Këshillin e Evropës. 

"Të kryesohet me OSBE-në në këto kohëra të sfidave të mëdha do të thotë se ne kemi kapacitete të kontribuojmë në promovimin e lirive themelore, të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të së drejtës", theksoi Osmani.

Në margjinat e Samitit në Rejkjavik, Osmani zhvilloi takime bilaterale me Ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom dhe me Përfaqësuesin Special britanik të Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në kushte të Konflikteve dhe Ministrin për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Azinë Jugore dhe OKB-në, Lord Ahmad of Uimbëldon. Bashkëbiseduesit diskutuan për çështje që kanë të bëjnë me Kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në dhe tema të tjera të rëndësishme për funksionimin e organizatës, potencojnë nga MPJ-ja.

Foto: MPJ

QËNDRONI TË LIDHUR