• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Osmani: Nuk ka rrugë tjetër për në BE, përveç ndryshimeve kushtetuese

Osmani: Nuk ka rrugë tjetër për në BE, përveç ndryshimeve kushtetuese

Shkup, 7 dhjetor 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, konsideron se nuk duhet hequr dorë nga ndryshimet kushtetuese që janë kusht për vazhdimin e negociatave me BE-në dhe hapjen e kapitujve dhe duhet të punohet deri në ditën e fundit me përbërjen ekzistuese të Kuvendit. Më e rëndësishme, thotë ai është që opinionin ta kthejmë kah vetja për ndryshimet kushtetuese se sa opozitën.

"Unë shpresoj se do të votojnë. Nuk duhet që ne politikanët të ngremë dorë nga ai proces. Duhet deri në ditën e fundit të vazhdojmë, edhe nëse nuk ia dalim do të ketë një efekt kolateral pozitiv nga bindja sepse për mua në këtë periudhë ishte shumë më e rëndësishme që ta bëjmë për vetë opinionin se sa opozitën. Për shkak se publiku iu nënshtrua një propagande të fuqishme dhe në kushte të brishtësisë ekzistuese për shkak të historisë, njerëzit ishin të pambrojtur dhe kur dikush i shton kripë kësaj, keni një terren gati për të pasur qytetarë të zemëruar. Nuk po them jo me të drejtë për hir të historisë, por jo konkretisht për këtë propozim. Dhe duhet dalëngadalë të sqarohemi para qytetarëve, qoftë edhe një personi nëse duhet t'i bindim se nuk ka alternativë kësaj radhe për ndryshimet kushtetuese, jo opozitën", thotë Osmani gjatë pjesëmarrjes në "Samo intervju" në Kanal 5.

Ai tha se nuk pajtohet me qëndrimin e presidentit i cili deklaroi se tashmë është e qartë se nuk do të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe e konsideron si qasje të gabuar.

Sipas tij, opozita dhe lideri i saj nuk kanë strategji për eurointegrimet dhe theksoi se garancitë që i kërkon opozita se nuk do të ketë veto të reja nga Bullgaria, janë marrë në kornizën negociuese.

"Ne nuk kemi punuar për të bindur Bullgarinë, kemi punuar për të ndërtuar një mur midis Bullgarisë dhe Brukselit në mënyrë që kërkesat bullgare të mos mund të depërtojnë deri në Bruksel, Korniza negociuese është tani filtri nëpër të cilin kalojnë kërkesat bullgare. Nuk mund të kalojë asgjë që nuk parasheh filtri i quajtur Kornizë negociuese. Protokolli nuk është pjesë e kapitujve. Garancitë i kemi marrë përmes Kornizës negociuese në të cilën gjuha maqedonase për herë të parë u bë gjuhë evropiane, pa asnjë prapashtesë. Garanci është mënyra se si hapen kapitujt në të cilët nuk ka çështje bilaterale përveç Planit aksionar për pakicat, dmth. të drejtat e njeriut dhe ndryshimet kushtetuese. Garanci është Rezoluta e Bundestagut gjerman, garanci është deklarata e qeverisë bullgare se nuk do të ketë kërkesa të reja. Pra mund të shpikni një milion nevoja të tjera për garanci, por kjo është rruga, nuk ka rrugë tjetër", theksoi Osmani.

Osmani është i bindur se edhe nëse vjen deri te ndërrimi i pushteti vendi në gjashtë muajt e ardhshëm do të duhet të gjejë mënyrë për të miratuar ndryshimet kushtetuese, sepse shton se pa hapjen e kapitujve dhe marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës nuk do mund të zbatohen reformat evropiane.

"Reformat evropiane nuk mund të zbatohen në mënyrë të njëanshme, ose do të ketë marrëveshje shtetërore për reforma, ndërsa ajo marrëveshje shtetërore pa marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës nën ombrellën e BE-së është një utopi. Duhet të kemi marrëveshje shtetërore për agjendën evropiane, siç kanë pasur kroatët", tha ministri Osmani.

QËNDRONI TË LIDHUR