• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani nuk e pranoi Konjufcën në konsultimet për zgjedhjet e ardhshme: Ftesa ishte vetëm për liderët e partive

Osmani nuk e pranoi Konjufcën në konsultimet për zgjedhjet e ardhshme: Ftesa ishte vetëm për liderët e partive

Prishtinë, 31 korrik 2024 (MIA) - Shërbimi për informim i presidencës së Kosovës kumtoi se takimi i sotëm i thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ka qenë vetëm për liderët e partive, ndërsa nuk ka qënë i pranishëm kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (VV), njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Kurti është kryetari i vetëm nga partitë politike që ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim që mbahet (sot) e martë 31 korrik. Kurti në këtë takim e ka deleguar nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufca.

Ftesa ka qenë vetëm për kryetarët e subjekteve politike dhe jo për nënkryetarët. Të njëjtat burime kanë thënë se kryeministri Kurti do të kthehet të martën në mbrëmje (sonte) nga Parisi.

Pozitivisht ftesës së Osmanit i është përgjigjur edhe PDK-ja. Nëpërmjet Sekretares së përgjithshme, Vlora Çitaku në një konferencë për media të mbajtur të shtunën më 27 korrik, ajo theksoi se ftesa nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim pjesë në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës së preferuar do ta themi aty”, kishte thënë Çitaku.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar të shtunën për Reporteri.net se do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani.

Pjesëmarrjen në këtë takim me presidenten Osmani e konfirmoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Mund të ju konfirmoj që AAK do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta”, tha Kushtrim Xhemajli, zëdhënës i kësaj partie.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen gjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR