• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani: Në vitin 2024 vazhdojmë me përkushtim drejt BE-së

Osmani: Në vitin 2024 vazhdojmë me përkushtim drejt BE-së

Shkup, 30 dhjetor 2023 (MIA) - Maqedonia e Veriut bëri një depërtim të fuqishëm në skenën politike botërore në vitin 2023 dhe zëri ynë u dëgjua nga Vankuveri në Vladivostok. Ne mund të vazhdojmë ta ndërtojmë këtë pozicion në vitin e ri 2024 me këmbëngulje, unitet dhe përkushtim të përbashkët për përparim. Këtë e theksoi Ministri i Punëve të Jashtme dhe Kryesuesi i organizatës më të madhe rajonale të sigurisë në botë, OSBE-së, Bujar Osmani në fjalimin e tij për Vitin e Ri para qytetarëve.

“Nën udhëheqjen tonë, me vizion të qartë dhe me shumë përkushtim, arritëm ta ruajmë OSBE-në në kushte jashtëzakonisht komplekse dhe luftë në rajonin e Organizatës. Ky nuk ishte vetëm një triumf për Maqedoninë e Veriut, por ishte një fitore e arsyes dhe një moment i rëndësishëm për stabilitetin e gjithë rajonit”, thotë Osmani në fjalimin e tij.

Sipas Osmanit, suksesi i kryesimit të OSBE-së për Maqedoninë e Veriut është për shkak të të gjithë qytetarëve të vendit që demonstruan unitet dhe dëshmuan se edhe pse jemi një vend i vogël, mund të përballemi me sfidat më serioze.

“Pozicioni i Maqedonisë së Veriut në botë është forcuar dhe përkushtimi ynë për bashkëpunim ndërkombëtar na ka afruar me aleatët që ndajnë vizionin tonë për një botë më të mirë”, thotë Osmani.

Edhe në vitin e ardhshëm sfida e miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimit me vendosmëri të rrugës drejt Bashkimit Europian mbetet një hap tjetër i guximshëm që duhet të formësojë të ardhmen tonë, thotë Osmani. Ministri i Punëve të Jashtme dha udhëzime dhe një mesazh për opozitën, e cila po bllokon procesin e fundit në këtë rrugë – ndryshimet kushtetuese.

“Sot, Maqedonia e Veriut është më afër Bashkimit Europian se kurrë dhe ky është rezultat i vizionit, përkushtimit dhe dëshirës sonë për një të ardhme të begatë. Treni drejt BE-së nuk do të ndalet dhe besoj shumë se vitin e ardhshëm do t'i kapërcejmë pengesat e krijuara nga opozita. Besoj, sepse e di që shumica e qytetarëve duan të bëhen pjesë e familjes së fuqishme dhe të lidhur evropiane”, thotë Osmani.

Duke ju uruar qytetarëve një vit të ri të mbushur me paqe, mirëqenie dhe momente të kaluara me më të dashurit, Osmani bëri thirrje për unitet në kapitullin e ardhshëm për shtetin përmes respektimit të vlerave – drejtësisë, bashkimit dhe prosperitetit. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR