• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani në Këshillin e Atlantikut në Uashington: Mbetemi të përkushtuar në rrugën evropiane

Osmani në Këshillin e Atlantikut në Uashington: Mbetemi të përkushtuar në rrugën evropiane

Shkup, 8 maj 2023 (MIA)- Ministri i Punëve të Jashtme dhe kryesuesi i OSBE-së Bujar Osmani, në kuadër të delegacionit qeveritar të kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski sot mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të Këshillit të Atlantikut në Uashington. Para anëtarëve të Bordit të Këshillit të Atlantikut, Osmani iu referua perspektivave të disa temave të rëndësishme që janë me interes për Maqedoninë e Veriut. 

Pjesë e çështjeve të hapura për të cilat ekspertët shkëmbyen mendime ishte edhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE dhe sfidat me të cilat ballafaqohet si vend gjatë procesit të integrimit evropian, por edhe mundësitë që ofrojnë iniciativat për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor.

“Si liderë, ne duhet të mbetemi të përkushtuar në rrugën e anëtarësimit në BE. Duhet të ndërmarrim hapa vizionarë për përmirësimin e zhvillimit demokratik, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe inkurajimin e pajtimit në Ballkanin Perëndimor, të gjitha me qëllim të prosperitetit të plotë të vendit dhe qytetarëve të tij”, tha Osmani në tryezën e rrumbullakët.

Ai gjithashtu theksoi se viti i kaluar 2022 ishte një vit progresiv për Maqedoninë e Veriut e cila pas 17 vitesh pritje arriti të shkrijë "akullin e përjetshëm" që rrethon procesin e anëtarësimit të vendit në BE.

“Ne e morëm fatin në duart tona dhe vendimet e nevojshme që morëm, sado të dhimbshme politikisht në afat të shkurtër, i ankoruan aspiratat tona për integrim evropian në një afat të gjatë pasi arritëm të bashkohemi së pari në familjen euroatlantike në vitin 2021”, tha Osmani.

Në Këshill u diskutua edhe për përpjekjet e Qeverisë për tu ballafaquar me krizën energjetike, luftën kundër korrupsionit dhe përgjigjen e Maqedonisë së Veriut për luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në të gjithë rajonin.

Duke folur për korrupsionin, Osmani përkujtoi se Maqedonia e Veriut, me mbështetjen e SHBA-së dhe Dialogun tonë strategjik do të vazhdojë të bëjë hapa të mëdhenj drejt rritjes së prosperitetit të të gjithë qytetarëve tanë, përmirësimit të sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe forcimit të institucioneve tona demokratike.

Një nga temat e Këshillit të Atlantikut të sotëm ishin edhe mundësitë që ofrojnë iniciativat për integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, Osmani iu referua projekteve rajonale që janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë rajonale dhe për zhvillimin ekonomik dhe të përgjithshëm të vendeve të rajonit. Duke folur këtu për Procesin e Berlinit, Ballkanin e Hapur, Iniciativën 8, Forumin e Prespës për Dialog, SHBA-Karta e Adriatikut e të tjera, Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut, si pjesëmarrëse aktive dhe nënshkruese e këtyre projekteve rajonale, fuqimisht i mbështet dhe i promovon ato me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh me vendet e rajonit dhe arritjes si dhe ruajtjes së parakushteve bazë - rajon stabil, i sigurt dhe prosperues.

Foto: MPJ

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR