• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani në brifing me sektorin civil për Dialogun strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së

Osmani në brifing me sektorin civil për Dialogun strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së

Shkup, 20 mars 2023 (MIA) - Në kuadër të një sërë takimesh të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani me përfaqësuesit e sektorit civil, në brifingun e sotëm, Osmani i njoftoi organizatat joqeveritare me rëndësinë dhe përfitimet e Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, i lançuar në qershor të vitit të kaluar, në Uashington.

Sip kumtoi MPJ, në fokus të bisedimeve ishin mundësitë e bashkëpunimit me sektorin joqeveritar në zbatimin e Planit të Aktiviteteve në kuadër të Dialogut Strategjik, i cili mbulon fusha të shumta bashkëpunimi si: lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i së drejtës, mbrojtja dhe siguria, tregtia dhe investimet, energjia dhe mjedisi jetësor, por edhe çështje të tjera të rëndësishme me interes rajonal dhe global.

Njëkohësisht, Osmani theksoi se plani i përmendur planifikohet të zbatohet nga institucionet e ndryshme në vend, në periudhën prej vitit 2023 deri në vitin 2033, gjatë së cilës Ministria e Punëve të Jashtme të jetë koordinatore e të gjithë procesit.

“Plani i aktiviteteve në kuadër të Dialogut Strategjik me ShBA-në përmban projekte dhe aktivitete të shumta, zbatimi i të cilave do të kontribuojë në nxitjen e mëtejshme të proceseve demokratike dhe reformuese, si dhe në forcimin e institucioneve, duke garantuar kështu progresin e përgjithshëm të shtetit. Ne jemi të hapur për bashkëpunim me sektorin civil edhe në këtë fushë, gjë që është në linjë me transparencën tonë të deritanishme dhe zotimet tona për të forcuar rolin e organizatave joqeveritare në krijimin e politikës së jashtme”, përfundoi Osmani. bsh/

Foto: MPJ

QËNDRONI TË LIDHUR