• e diel, 24 nëntor 2024

Osmani: Mbetemi të angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e veçorive etnike, kulturore dhe gjuhësore të maqedonasve në Shqipëri

Osmani: Mbetemi të angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e veçorive etnike, kulturore dhe gjuhësore të maqedonasve në Shqipëri
Shkup, 28 gusht 2022 (MIA)- Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në kuadër të aktiviteteve të tij të punës sot realizoi vizitë pune në Trebishtë dhe Pustec, gjatë së cilës pati takim me veprimtarë të shquar dhe përfaqësues të pakicës nacionale maqedonase dhe bartës të pushtetit lokal. Vizita e ministrit Osmani, e dyta me radhë gjatë këtyre muajve të fundit u bë në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe shoqatave maqedonase në Shqipëri. Në fokus të bisedimeve ishte pozicioni i pakicës nacionale maqedonase në Shqipëri dhe mbështetja e institucioneve të Maqedonisë së Veriut në këtë kontekst. “Ministria e Punëve të Jashtme mbetet në komunikim me pakicën nacionale maqedonase në Shqipëri për çështjet që i shqetësojnë maqedonasit këtu dhe është e angazhuar në mënyrë aktive në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre të drejtave. Njëkohësisht dua të theksoj se kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me institucionet kompetente shqiptare, për çështje lidhur me procesin arsimor, kulturën, gjegjësisht aktivitetet për kultivimin dhe mbrojtjen e veçorive të tyre gjuhësore dhe kulturore”, theksoi Osmani pas takimit. Si formë konkrete të ndihmës në këtë drejtim ai veçoi projektet e financuara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe bursat e Qeverisë për studime në Maqedoninë e Veriut. Ministri potencoi se do të përgatisë informacion në Qeveri dhe plan aksionar, se si Maqedonia e Veriut dhe institucionet e saja mund që përmes projekteve konkrete t’u ndihmojnë maqedonasve në Shqipëri. Siç theksohet në kumtesën e MPJ-së, në takimin me përfaqësuesit e Trebishtës u bisedua për mundësitë e ndryshimit të orarit të punës në pikën kufitare Trebishtë-Xhepishtë, si çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për maqedonasit në rajonin e Golobërdës, zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet njësive vendore në të dy anët e kufirit dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor. Osmani e theksoi iniciativën Ballkani i Hapur, që ndër tjerash nënkupton hapjen e pikave të reja ose revitalizimin e pikave kufitare ekzistuese. Potencoi se vendkalimi Trebishtë-Xhepishtë do të kontribuojë në lëvizje edhe më të madhe të popullsisë, e cila do ti përmirësojë lidhjet e përgjithshme në këtë rajon. Vizita në Pustec të Prespës së Madhe u shfrytëzua për takim me kryetarin e Aleancës Maqedonase për Integrim Evropian, Vasil Sterjoski, kryetarin e Komunës, Pali Koleski dhe drejtorin e shkollës fillore dhe të mesme, Trajan Vangelovski ku nxënësit vijojnë mësimin në gjuhën maqedonase. U diskutua për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe u shqyrtuan disa projekte në lidhje me rregullimin komunal të komunës. Theksuan nevojën e rritjes së mëtejshme të mundësive për studime në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut, e cila tashmë zbatohet për disa dekada. Në kuadër të vizitës në Pustec, Osmani do ta vizitojë shtëpinë përkujtimore të shkrimtarit Sterjo Spase, projekt i cili u realizua në kuadër të programit IPA të BE-së nga Instituti - Muzeu i Manastirit dhe Drejtoria e Kulturës në Korçë.

QËNDRONI TË LIDHUR