• e premte, 27 dhjetor 2024

Osmani: Kryesia e zgjedhur është inkluzive në të gjitha bazat, partitë e tjera të mësojnë nga BDI-ja

Osmani: Kryesia e zgjedhur është inkluzive në të gjitha bazat, partitë e tjera të mësojnë nga BDI-ja
Tetovë, 15 tetor 2022 (MIA) - Zëdhënësi i bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar osmani, pas zgjedhjes së bërë të kryesisë qendrore vlerësoi se lista me funksionarë partiak është inkluzive në të gjitha bazat e përfaqësimit rajonal, përfaqësimit të gjeneratave dhe atij gjinor dhe se ajo unanimisht ishte mbështetur nga Këshilli qendror. Me këtë kryesi qendrore me 37 anëtarë tashmë fillon të funksionojë që prej ditës së ardhshme. Në pyetjet e gazetarëve përse nuk është biseduar për llogaridhënien e anëtarëve të cilët janë në pushtetin ekzekutiv, Osmani me përgjigje se ajo bëhet çdo ditë.

"Llogaridhënia është detyrë e jona e përhershme. Ne japim llogari para së gjithash para jush, para opinionit dhe atë e bëjmë më se rregullisht. Por, kuptohet, kemi detyrë të jemi llogaridhënës edhe ndaj organeve të partisë të cilat na kanë propozuar. Tani po formohet, do të thotë sot u formua kryesia dhe pres deri në fund të muajit ta kemi edhe takimin e parë konstituiv. Kuptohet, atje nëse ka interesim, do t'i prezantojmë edhe njëherë", theksoi Osmani.

Për atë se takimi kishte zgjatur shkurtë, Osmani tha se është ashtu sepse gjatë është përgatitur.

"Nuk është rastësi se ka një mbështetje të tillë unanime sepse pati aq shumë takime. Ja, dje, për shembull, mbetëm 6-7 orë edhe paraparkisht  takime individuale të Ahmetit me të gjitha rajonet. Kështu që, kjo vetëm flet për takim të përgatitur mirë, ndërkaq nuk flet për ndonjë joaktivitet të anëtarëve të Këshillit. Këtu, gjithçka çka kanë pasur - thanë. Ajo që mund të merrej parasysh, është marrë dhe sot ka ardhur me një propozim i cili është konsensual, i cili i kënaqë të gjithë dhe ashtu e merr mbështetjen e të gjithë anëtarëve", tha Osmani.

Gjatë takimit nuk pati debat më të madh, ndërkaq gjatë zgjedhjes së anëtarëve të kryesisë, Talat Xhaferi kërkoi edhe një nënkryetar për degën e Gostivarit, Kryetari Ahmeti atë e vuri në votim, por nuk mori mbështetje, ndërsa Osmani e vlerësoi të pamundshme për shkak të kufizimeve statutore.

"Unë, pa qenë jomodest, do t'u thosha partive të tjera të marrin mësim nga BDI-ja, nga ajo se si bëhet demokracia këtu - përmes procesit të gjerë konsultativ, përmes mundësisë t'i jepet e drejta secilit ta thotë mendimin e vet, e madje nëse duhet edhe publikisht ta thotë atë, sepse në atë mënyrë më së miri institucionalisht kanalizohet energjia brenda. BDI jo rastësisht është organizata më e suksesshme në rajon me 20 vite të njëpasnjëshme dhe fitoi në të gjitha nivelet e mundshme. Mu për atë shkak ka lider i cili mund ta mbajë partinë të gjallë, dinamike dhe ta adaptojë ndaj rrethanave bashkëkohore dhe ka kapacitet të brendshëm që pikëpamjet e ndryshme t'i vendosë në funksion të një aktiviteti sinergjik të partisë n[ë mënyrë që të merret mbështetja në zgjedhje", tha Osmani.

Zëdhënësi i partisë vlerësoi se të gjitha interesat në parti janë artikuluar me sukses me këto zgjedhje të njerëzve në këshillin e kryesisë dhe atë mbikëqyrës.

"Organizata - parti politike ka interesa t'i prezantojë qytetarët dhe elektoratin, secili prej nesh prezantojmë një elektorat të caktuar specifik prej nga vijmë - nga lagjja, e më pas nga komuna, e akoma më pas nga qyteti etj., më gjerë deri tek i tërë elektorati i cili na mbështetë dhe kuptohet - po, ne jemi këtu t'i parashtrojmë interesat tona. Jo çdoherë interesat e lagjes sime përputhen me interesat një qyteti tjetër apo fshati tjetër. Aftësia e një lideri është të gjitha ato pikëpamje të ndryshme t'i vendosë në një mekanizëm i cili fiton dhe i cili jep rezultate. mendoj se BDI i ka të d karakteristikat - fiton dhe jep rezultate", u përgjigj Osmani.

Rreth 120 anëtarët e Këshillit qendror të BDI-së në Tetovë për diç më tepër se një orë e përfunduan takimin, në të cilin u zgjodhën 37 anëtarë të kryesisë qendrore, si dhe shtatë funksione të tjera. zgjedhja e funksionarëve partiak u bë sipas propozimit të kryetarit Ali Ahmeti i cili i lexoi propozimet dhe i vuri në votim.

katër nënkryetarët e rinj janë Bajram Rexhepi nga Tetova, Izet Mexhiti nga Çairi i Shkupit, Arbër Ademi nga Kumanova dhe Arbana Pasholli nga Dibra. Sekretar i përgjithshëm është zgjedhur Faton Ameti, sekretar organizativ Blerim Bexheti dhe sekretare për përfaqësim gjinor Saranda Ymeri. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR