• e shtunë, 23 nëntor 2024

Osmani: Korniza negociuese është muri drejt kërkesave të reja bullgare, por ndryshimet kushtetuese janë pengesë shumë më e madhe

Osmani: Korniza negociuese është muri drejt kërkesave të reja bullgare, por ndryshimet kushtetuese janë pengesë shumë më e madhe

Shkup, 18 dhjetor 2023 (MIA) - Nuk është shumë e rëndësishme nëse Bullgaria do të ketë kërkesa të reja në të ardhmen, ajo që është e rëndësishme është që ne kemi krijuar një mur ndaj çdo kërkese bullgare, ajo është korniz negociuese, ndërsa protokollet nuk janë pjesë e saj. Ndryshimet kushtetuese janë pengesë shumë më e madhe për vazhdimin e rrugës evropiane dhe ka mundësi që Bukureshti 2008 të përsëritet, vlerësoi sot ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

I pyetur në lidhje me deklaratën e homologes së tij bullgare Maria Gabriel, se ndryshimet kushtetuese nuk janë detyrimi i vetëm në rrugën drejt BE-së në lidhje me Bullgarinë, Osmani tha se nuk dëshiron ta hapë atë debat mes neve dhe këtij shteti fqinj tani në këtë periudhë parazgjedhore, sepse, siç tha, zakonisht pastaj keqpërdoret nga faktorët politikë. Ai sqaroi se më 15 dhe 16 dhjetor kur në Bruksel u mbajt Samiti i BE-së propozimi i cili ka arritur në tavolinën e liderëve në një nga konkluzionet për Maqedoninë e Veriut ka qëndruar se Maqedonia e Veriut përveç Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes me Bullgarinë duhet t'i zbatojë edhe protokollet, por se konkluzioni i cili kaloi në vetë Samitin, nuk e përmban fjalinë dhe protokollet.

"Tani nuk është shumë e rëndësishme nëse Bullgaria do të ketë kërkesa të reja në të ardhmen, e rëndësishme është që ne kemi krijuar një mur ndaj çdo kërkese bullgare dhe ai mur quhet kornizë negociuese. Korniza negociuese ka pore të përcaktuara qartë se çfarë mund të humbasë, çfarë nuk mund të humbasë. Dhe ky ishte shembulli më i mirë se si një kërkesë e re bullgare që ne e konsiderojmë si pjesë e Kornizës Negosiuese nuk mund të thyejë murin e quajtur Kornizë Negosiuese. Pra, ne kishim një rast specifik. Unë mund t'ju jap të dy dokumentet. Propozimi me fjalinë dhe protokollet dhe konkluzioni i votuar perfundimtar pa protokolle. Dhe kjo do të jetë e ardhmja e marrëdhënieve me Bullgarinë në lidhje me kornizën e negociatave. Në poret e kornizës së negociatave do të mund të kalojë vetëm ajo që është parashikuar aty, që është se në standardet e hapjes dhe mbylljes së kapitujve nuk ka çështje që lidhen me çështjet e identitetit dhe ato historike. Po, për çështjet e pakicave, po, për të drejtat e njeriut, dhe sepse ne donim të zhvendosnim fokusin nga trajektorja identitare-historike në të drejtat e pakicave-të njeriut. Pra, kjo është përgjigjja më e mirë për ministren Gabriel, e cila, nuk e di, ashtu u transmetua nga mediat se ka kërkesa të reja" tha Osmani në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij shqiptar Igli Hasani para Mbledhjes së Komisionit të Partneritetit A5.

I pyetur për atë nëse nuk i zbatojmë ndryshimet kushtetuese ekziston rrezik që të mos e marrin ndihmën e BE-së për rritje në Ballkanin Perëndimor, Osmani tha se është konfirmuar nga të gjithë faktorët se Komisioni Evropian do ta marrë vendimin nëse vendi i ka kryer reformat që ta marrë pjesën e atyre parave. 

"Pra nuk do të ketë vendim nga vendet anëtare, kështu që Bullgaria mund të përdorë ndikimin e saj këtu. Pra, mendoj se duhet të bëjmë reformat, por ndryshimet kushtetuese janë një pengesë shumë më e madhe. E thashë sot në një intervistë se kam frikë se Bukureshti 2008 mund të përsëritet. Atëherë ishim me Shqipërinë dhe Kroacinë, kishim ofertë më të favorshme për emrin sesa ajo që kishim në fund si ofertë përfundimtare në 2018, nuk e pranuam se nuk kishim guxim. Humbëm 15 vite nga të njëjtët aktorë, Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtarë të NATO-s, edhe atëherë humbëm 500 mijë qytetarë që u larguan nga vendi për mungesë perspektive dhe më në fund e zgjidhëm çështjen. E njëjta gjë mund të na ndodhë tani për shkak të mungesës së guximit ose për shkak të kësaj vale forcash të errëta nacionaliste që duan të rrëmbejnë të ardhmen e qytetarëve dhe mbi të gjitha të sfidojnë kombet e vogla që, duke marrë pasaporta bullgare ose me migrim, mund ta kërcënojë vetë bërthamën e popullit", tha Osmani.

Foli për projeksionet e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës se, siç theksoi, me trendin e tillë shteti për disa vite mund të bjerë në një milionë e 300 mijë qytetarë. Këto janë çështje ekzistenciale për popujt, ndërsa çështjet e tilla për momentin opozita i mban peng, vlerësoi ministri Osmani. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR