• e shtunë, 27 korrik 2024

Osmani: Kërkesa që të hiqet balancuesi është albanofobi e pastër

Osmani: Kërkesa që të hiqet balancuesi është albanofobi e pastër

Shkup, 12 prill 2024 (MIA) - Kandidati për president i Frontit Evropian, Bujar Osmani, konsideron se balancuesi si mjet për përfaqësim të drejtë në institucionet publike është gjëja më e mirë që na ka ndodhur. Kërkesa e disa partive që ai të hiqet, siç thotë ai, është albanofobi e pastër dhe tentativë për t'u hakmarrë për barazinë e arritur në vend.

"Balancuesi është një nga instrumentet thelbësore të Marrëveshjes kornizë, sepse Kushtetuta thotë se realiteti demografik duhet të prezantohet në institucionet publike", ka thënë Osmani në intervistën për televizionin Telma.

Sipas tij, procesi i integrimit të shqiptarëve në institucione është dashur të ndodhë bashkë me procesin e maqedonasve gjatë 75 viteve.

"Shqiptarët u përjashtuan nga ai proces. Në vitin 2002, ato ishin vetëm 0.2 për qind në institucionet shtetërore dhe publike. Dhe ne, një proces që është dashur të zgjasë 75 vjet e kemi kompensuar për 25 vjet", theksoi Osmani.

Ai në këtë intervistë ka mohuar informacionet se partia e tij amë BDI ka pasur iniciativë për kthimin e ish kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski në vend dhe se ai personalisht ka pasur ndonjë takim me të në Budapest.

"E gjithë frika nga Gruevski është frikë në mendjet e VMRO-DPMNE-së për shkak të betejave të tyre brendapartiake. Kohët e fundit kam marrë vesh se ata kanë qenë në një lloj rivaliteti brenda partisë", tha Osmani i cili për momentin mban postin e ministrit të Punëve të Jashtme.

BDI, shton ai, nuk ka asnjë interes për kthimin e Nikolla Gruevskit.

"Kjo më shumë është frikë në VMRO-DPMNE se udhëheqësia e re ende nuk është etabluar mjaftueshëm në strukturën e saj. Dhe kur keni frikë, gjithmonë krijoni konspiracione”, ka theksuar Osmani në intervistë.

Foto: TV Telma

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR