• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani: Fushata e BDI-së nuk ka lidhje me zgjedhjet, në ditët në vijim do të zbulohet se çfarë do të thotë

Osmani: Fushata e BDI-së nuk ka lidhje me zgjedhjet, në ditët në vijim do të zbulohet se çfarë do të thotë

Shkup, 16 mars 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe anëtar i Kryesisë së BDI-së, Bujar Osmani, thotë se fushata e re e BDI-së me titull “Ai po vjen” nuk ka të bëjë me zgjedhjet dhe paralajmëron se në ditët në vijim do të dihet saktësisht se çfarë do të thotë kjo fushatë.

Në deklaratë për televizionin Kanal 5, Osmani thotë se zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë dhe se qeveria është stabile, ndërsa koalicioni ka një shumicë të shtuar.

"Do të ketë zgjedhje të rregullta, diku midis prillit dhe majit 2024. Kjo fushatë nuk ka të bëjë me zgjedhjet. Nuk bëhet fjalë për një kryeministër shqiptar, por është një fushatë krejt tjetër që me siguri do të zbulohet në ditët në vijim", thotë Osmani.

Çështja e zgjedhjeve, sipas Osmanit, është një temë që do të bëhet aktuale vitin e ardhshëm, dhe ajo që tani duhet të fokusohet është stabilizimi ekonomik, ndryshimet kushtetuese dhe vazhdimi i rrugës evropiane të vendit.

Lidhur me informacionet për një sulm të mundshëm ndaj delegacionit të OSBE-së gjatë vizitës në Moldavi të udhëhequr nga ai, Osmani tha se nuk ka asnjë konfirmim për një gjë të tillë.

"Me siguri ka tentim për të ngritur ndonjë narrativë në nivel ndërkombëtar, sepse OSBE-ja dhe kryetari i kësaj Organizate megjithatë është një profil që mund të ngrejë çdo temë dhe çdo narrativë në nivel ndërkombëtar. Gjatë vizitës nuk kemi pasur të dhëna për një gjë të tillë", ka theksuar Osmani. ls/

Foto: Printskrin nga video

 

QËNDRONI TË LIDHUR