• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani: Ekziston një lidhje e fortë midis lirisë së medieve dhe sigurisë

Osmani: Ekziston një lidhje e fortë midis lirisë së medieve dhe sigurisë

Shkup, 3 maj 2023 (MIA) - Ekziston një lidhje e fortë midis lirisë së medieve dhe sigurisë. Si organizata më e madhe rajonale e sigurisë, OSBE-ja luan rol kryesor në promovimin e paqes dhe sigurisë në 57 vendet pjesëmarrëse, dhe rrjedhimisht edhe në sigurinë e gazetarëve. Këtë e theksoi Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, përmes video-fjalimit me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave.

Siç informoi MPJ, ngjarja “A mund të ketë siguri pa lirinë e mediave?”, është organizuar nga Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Mediave dhe Kryesimi i OSBE-së nga Maqedonia e Veriut në Nju-Jork.

“E mbështes dhe pajtohem plotësisht me moton se liria e shprehjes është shtytëse për respektimin e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut. Dua të shtoj se liria e shprehjes është e drejtë jetike që e pasqyron nivelin e demokracisë në çdo shoqëri. Në këtë kontekst, është thelbësore të mbrohen mediat e pavarura dhe pluraliste që e paraqesin realitetin në terren në dritën e duhur dhe i informojnë qytetarët”, tha Osmani në fjalimin e tij.

Në këtë drejtim, motoja e Kryesimit të OSBE-së nga Maqedonisë së Veriut është “Për njerëzit bëhet fjalë”, shtoi Osmani, sepse siç tha, njerëzit meritojnë ta dinë të vërtetën. 

Osmani theksoi se fatkeqësisht e vërteta, së bashku me të edhe siguria, janë rrezikuar për më shumë se një vit për shkak të agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës. 

"Ajo shkakton padrejtësi dhe vuajtje të mëdha dhe ua shkatërron jetën dhe kushtet për jetë miliona ukrainasve. Siç thotë proverba e njohur, e vërteta është shpesh viktima e parë e luftës dhe ajo vdes në errësirë”, tha Osmani.

Në këtë drejtim, Kryesusi bëri thirrje për veprim të përbashkët nga ana e të gjithë liderëve demokratikë, të cilët përmes veprave duhet të dëshmojnë se kërcënuesit e gazetarëve do të dënohen, dhe se gazetarët do të mbrohen.

Osmani e përshëndeti nënshkrimin e djeshëm të Deklaratës së Përbashkët nga Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për lirinë e shprehjes. 

“Deklarata e thekson rolin kritik të mediave si shtyllë e demokracisë. Është e vërtetë që ne si liderë, duhet ta mbrojmë dhe promovojmë lirinë e medieve për funksionimin e drejtë të shoqërive dhe institucioneve demokratike”, tha Osmani në fjalimin e tij.

Foto: MPJ

 


 

 

QËNDRONI TË LIDHUR