Osmani e uron Siljanovska-Davkovën për fitoren në zgjedhjet presidenciale
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes platformës “X” i ka dërguar urime Presidentes së sapozgjedhur të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila menjëherë është përgjigjur duke e falënderuar dhe shprehur gatishmërinë e saj për bashkëpunim, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
- Post By Lindita Sulejmani
- 16:39, 9 maj, 2024
Prishtinë, 9 maj 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes platformës “X” i ka dërguar urime Presidentes së sapozgjedhur të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila menjëherë është përgjigjur duke e falënderuar dhe shprehur gatishmërinë e saj për bashkëpunim, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Në publikimin e sotëm në "X", (ish-Tuiter), Osmani theksoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore dhe ndajnë angazhim të fortë për integrimin euroatlantik dhe shtoi se mezi pret të punojë me Siljanoskën "për të arritur këtë qëllim të përbashkët".
"Urime për Gordana Siljanovska-Davkova për fitoren zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe për t'u bërë presidentja e parë grua e vendit. Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore dhe ndajnë angazhim të fortë për integrimin euroatlantik. Mezi pres të punoj me presidenten e zgjedhur për të arritur këtë qëllim të përbashkët dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni e Veriut", ka shkruar Osmani.
Siljanovska-Davkova i është përgjigjur “tuitit" të Osmanit, duke e falënderuar për urimin në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedone.
"E dashur Vjosa, me gëzon urimi juaj i sinqertë. Më gëzon fakti që gratë në rajonin tonë po bëjnë histori politike duke qëndruar me guxim në pozitat kyçe. Pres që do të vazhdojmë me bashkëpunimin për të arritur përfundimisht qëllimin kyç strategjik, integrimin evropian të të gjithë rajonit, si dhe për t'i forcuar marrëdhëniet tona përmes një sinergjie “femërore”, ka shkruar Siljanovska-Davkova. ls/
foto: printskrin