• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Osmani do t'i vizitojë Kirgistanin dhe Turkmenistanin

Osmani do t'i vizitojë Kirgistanin dhe Turkmenistanin

Shkup, 2 tetor 2023 (MIA) - Kryesuesi i OSBE-së dhe ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në kuadër të realizimit të një pjese të zotimeve programore të Kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, respektivisht në mbështetje të punës së operacioneve në terren të OSBE-së, vazhdon vizitën në vendet pjesëmarrëse të Azisë Qendrore (AQ). Pas realizimit të vizitave në Uzbekistan dhe Kazakistan në gusht të këtij viti, Osmani nga nesër do të qëndrojë për vizitë dyditore në Kirgistan, ndërsa pritet që javën e ardhshme ta vizitojë edhe Turkmenistanin, kumtoi MPJ.

Gjatë qëndrimit në Bishkek të Kirgistanit janë paraparë takime me Presidentin Sadir Xhaparov, Ministrin e Punëve të Jashtme, Zhenbek Kulubaev dhe Kryetarin e Kuvendit, Nurlanbek Shakiev. Osmani në Bishkek, përveç takimeve me përfaqësues të Zyrës Programore të OSBE-së, do të realizojë takime edhe me organizatat e shoqërisë civile nga Kirgistani, si dhe me përfaqësues të BE-së.

Bashkëpunimi i misioneve të OSBE-së në terren, në vendet e Azisë Qendrore është e një rëndësie të madhe për zbutjen e pasojave nga agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe në uljen e rreziqeve të sigurisë të Kirgistanit dhe të Azisë Qendrore në tërësi. Gjithashtu, rajoni i AQ është drejtpërdrejt i ekspozuar ndaj pasojave të krizës humanitare dhe situatës së përgjithshme në Afganistan. Korniza e OSBE-së për Veprim u ndihmon vendeve pjesëmarrëse në rajon për t’u ballafaquar me implikimet e situatës në Afganistan në drejtim të zbutjes së rreziqeve për stabilitetin e Azisë Qendrore.

Foto: МIА arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR