• e shtunë, 23 nëntor 2024

Osmani: Do të bëjmë përpjekje maksimale për zbatimin e reformave dhe amendamenteve kushtetuese me qëllim hapjen e Klasterit të parë

Osmani: Do të bëjmë përpjekje maksimale për zbatimin e reformave dhe amendamenteve kushtetuese me qëllim hapjen e Klasterit të parë

Shkup, 26 prill 2023 (MIA) - Pas sfidave të shumta në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe 22 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim dhe Asociim, Republika e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar ka bërë një hap historik dhe filloi negociatat për anëtarësim në BE që shënojnë fillimin e fazës së re në marrëdhëniet me BE-në para anëtarësimit të plotë. Për arritjen e këtij qëllimi strategjik vitin e kaluar kërkohej guxim politik dhe ne e ndërmorëm pa hezitim në interes të bashkëqytetarëve tanë. Shumica në vend ende nuk janë të bindur se kemi marrë vendimin e duhur dhe qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë t'i bindim ata me vepra se zgjerimi është proces i gjallë dhe se qytetarët tanë së shpejti do të kenë mundësinë të ndjejnë përfitimin konkret të transformimit që është para nesh.

Këtë e ka theksuar shefi i diplomacisë, Bujar Osmani në fjalimin para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) në Bruksel.

Ai tha se në ndërkohë vendi ka filluar me sukses procesin e skriningut të legjislacionit evropian dhe ekipet tona negociuese me përkushtim, njohuri dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm po mbrojnë me sukses përfitimet e punës sonë të palodhur dhe kolegët tanë janë plotësisht të përgatitur dhe të angazhuar që të përgjigjen ndaj të gjitha detyrimeve në lidhje me harmonizimin dhe zbatimin e legjislacionit evropian, i cili do të jetë i rëndësishëm për dinamikën e mëtejshme të procesit të negociatave.

"Megjithatë, ajo që është veçanërisht e rëndësishme për ne në periudhën që vjen dhe për të cilën ju vetë keni ndikim të rëndësishëm është që sa më parë të marrim raportin e Skriningut për Klasterin 1- Themelet nga Komisioni Evropian dhe të fillojë puna konkrete për përgatitjen e tre udhërrëfyesve, për sundimin e ligjit, reformën në administratën publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike si dhe Planin aksionar për pakicat dhe komunitetet të cilin e pranuam pikërisht për të treguar se Maqedonia e Veriut ka shumë për t'i ofruar BE-së, jo për të fshehur”, tha Osmani.

Ai nënvizoi se agresioni rus kundër Ukrainës ka ndryshuar thellësisht realitetin gjeopolitik dhe Maqedonia e Veriut iu bashkua menjëherë dhe pa mëdyshje reagimit unanim të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë për agresionin e pajustifikuar dhe të paprovokuar kundër një vendi sovran dhe konform mundësive të saja ofroi ndihmë humanitare, ushtarake dhe diplomatike.

“Maqedonia e Veriut iu bashkua të gjitha masave restriktive që BE-ja i vendosi ndaj Federatës Ruse, përfshirë ato të miratuara në vitin 2014, duke arritur 100% përputhshmëri me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Me këtë hap, rikonfirmuam angazhimin tonë për të ndarë vlerat evropiane dhe parimet mbi të cilat bazohet politika e jashtme e BE-së, duke konfirmuar partneritetin me BE-në dhe orientimin strategjik evropian. Mbështetjen tonë parimore për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës poashtu e ndajmë edhe përmes aktiviteteve të OSBE-së, kryesimin e së cilës e morëm në kushte shumë të vështira në fillim të këtij viti”, theksoi Osmani.

Ai thekson se është plotësisht i vetëdijshëm për dilemat dhe frikën e siç thotë, “bashkëqytetarëve të tij”.

“I respektoj ata dhe vazhdimisht përpiqem të debatoj me argumente. Kemi një mundësi të papërsëritshme që përfundimisht t'i kapërcejmë çështjet dhe ta forcojmë besimin, respektin dhe misionin tonë të përbashkët. Për momentin, kjo nuk dallohet mirë, por së shpejti do të përballemi, secili në mënyrën e vet, me përgjegjësi. Përpara drejt Evropës me më shumë integrim përgjatë rrugës drejt anëtarësimit të plotë ose sërish kthim mbrapa dhe kohë e humbur”, ka thënë tutje Osmani. 

Ai me porosi edhe deri te “miqtë bullgarë se detyrimet nga Marrëveshja dhe nga dy protokollet nuk janë harruar.

“Unë personalisht i mbikëqyr grupet e punës për realizimin e detyrimeve reciproke dhe së shpejti do të dalim me rezultatet e punës së tyre në pjesën e gjuhës së urrejtjes, rehabilitimin e viktimave të represionit të periudhës komuniste, zbatimin e rekomandimeve të miratuara nga puna e komisionit historik, si dhe për mbrojtjen nga diskriminimi. Megjithatë, njëkohësisht kërkojmë kushte për zhvillimin e dialogut konstruktiv bazuar në respektin e ndërsjellë edhe nga ana e Bullgarisë. Besoj se së shpejti me formimin e Qeverisë së re në Sofje do të mund ta arrijmë këtë”, ka thënë Osmani.

Ministri ka thënë se janë të gatshëm të arrijnë konsensus midis partive politike për fushat kryesore të reformave dhe agjendës evropiane, si dhe siç shton, “ta forcojmë bashkëpunimin me Komisionin për Çështje Evropiane dhe Këshillin nacional për eurointegrime, si forume për zhvillimin e një debati konstruktiv për reformat në BE dhe negociatat për anëtarësim”.

Votimi i Projektrezolutës për Maqedoninë e Veriut për vitin 2022 në Komisionin është planifikuar për në fund të majit, ndërsa miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian pritet në mesin e qershorit të vitit 2023.

Foto: Print skrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR