• e premte, 27 dhjetor 2024

Osmani: Bashkëpunimi midis OSBE-së dhe Këshillit të Evropës është më i nevojshëm dhe më relevant se kurrë më parë

Osmani: Bashkëpunimi midis OSBE-së dhe Këshillit të Evropës është më i nevojshëm dhe më relevant se kurrë më parë

Shkup, 5 korrik 2023 (MIA) - Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka mbajtur fjalim sot në Strasburg para Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës (KE).

Siç kumtoi MPJ-ja, në gjysmë të Kryesimit me OSBE-së, Osmani prezantoi aktivitetet e deritanishme në cilësinë e Kryesuesit. Si kyçe, Kryesuesi i veçoi vizitat në Ukrainë, Moldavi, Kaukazin e Jugut, si dhe në Serbi dhe Kosovë, duke theksuar punën e vazhdueshme të OSBE-së në këto rajone kyçe për Organizatën.

“Jetojmë në një periudhë të kthimit demokratik dhe sfidave të sigurisë për shkak të agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, i cili ka shkelur parimet mbi të cilat janë themeluar organizatat tona. Prandaj, prioritet i kryesimit tonë është që të sigurojë mbështetje thelbësore për Ukrainën dhe popullin e saj. Pasi të rivendoset paqja dhe Rusia të tërheqë forcat e saj nga territori sovran i Ukrainës, OSBE-ja do t'i vë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për rimëkëmbjen pas luftës”, tha Osmani në fjalimin e tij.

Krahas planit për Ukrainën, Osmani iu referua edhe konflikteve të tjera afatgjata dhe destabilitetit në rajonin e OSBE-së, për të cilat si Kryesues prezantoi udhërrëfyes për zgjidhje graduale që do të çojë në stabilitet dhe paqe afatgjatë.

“Në atë drejtim është edhe plani 9-pikësh për deeskalimin e tensioneve të fundit në Kosovë, i cili do të sigurojë normalizimin e mëtutjeshëm”, tha Osmani, duke potencuar se Kryesimi në radhë të parë i vë njerëzit dhe përmirësimin e jetës së tyre të përditshme.

Siç tha Osmani, OSBE-ja është e përfshirë në një gamë të gjerë fushash të rëndësishme për njerëzit dhe kapacitetet e saj për rajonin e Europës Juglindore i ka fokusuar në pajtimin, luftën kundër korrupsionit dhe ndryshimet klimatike. Përkundër sfidave me të cilat përballet Organizata, shtoi ai, ajo do të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj prioriteteve të saj.

“OSBE funksionale dhe fleksibile që do të ndihmojë në ripërtëritjen e paqes dhe sigurisë dhe parandalimin e konflikteve të ardhshme në rajonin e OSBE-së. Promovim të sigurisë së njerëzve përmes mbështetjes së rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe bashkëpunimit ekologjik dhe promovimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të së drejtës si parakushte për siguri të gjithanshme”, u shpreh Osmani.

Pikërisht në këto prioritete bashkohen edhe aktivitetet e OSBE-së dhe Këshillit të Europës, puna e përbashkët e të cilëve është më e nevojshme dhe më relevante se kurrë, tha Osmani. Gjatë viteve, të dyja organizatat kanë nxitur bashkëpunim të fortë për të ndërtuar demokraci të fuqishme, thuhet në kumtesë. bsh/

Foto: MPJ

QËNDRONI TË LIDHUR