• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Osmani: Autorët e krimeve të tmerrshme në Buçë duhet të mbajnë përgjegjësi

Osmani: Autorët e krimeve të tmerrshme në Buçë duhet të mbajnë përgjegjësi

Shkup, 31 mars 2023 (MIA) - Me rastin e përvjetorit të çlirimit të qytetit ukrainas të Buçës, Kryesuesi i OSBE-së, Ministri Bujar Osmani, përmes video-lidhjes iu drejtua Samitit të Buçës të mbajtur sot në Kiev. Samiti u mblodh për të kujtuar krimet e kryera në Ukrainë dhe në veçanti masakrën në rrethin Buça të Kievit, kur më shumë se 460 njerëz u vranë nga forcat ushtarake ruse, kumtoi MPJ-ja.

Në fjalimin e tij, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, Osmani i bëri thirrje Federatës Ruse për armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë dhe tërheqjen e pakushtëzuar të forcave të saj ushtarake dhe kujtoi se emrat Buça, Irpin dhe Mariupol janë një kujtesë e qartë se paqja dhe dinjiteti njerëzor nuk na janë gjithmonë të garantuara.

 

"Përderisa bashkësia ndërkombëtare kërkon drejtësi, ai bëri thirrje që viktimat e këtyre krimeve të mos harrohen, duke theksuar se shkatërrimi masiv në të gjithë Ukrainën vazhdon ende, dhe kjo do të thotë një shpërfillje e plotë e vlerës së jetës së njerëzve"; tha Osmani.

 

Osmani iu referua edhe Mekanizmit të Moskës të OSBE-së si raporti i parë ndërkombëtar që dha indikacione të qarta për krimet e kryera në Buça dhe vende të tjera në Ukrainë, duke kujtuar se ka raporte të shumta nga organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, ai kujtoi gjithashtu se agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës është shkelje e dukshme e Të Drejtës Ndërkombëtare, parimeve të Kartës së OKB-së dhe parimeve të OSBE-së.
 
“Lufta ruse kundër Ukrainës po shkatërron themelet e OSBE-së, e cila bie ndesh me parimet për të cilat kemi rënë dakord dhe i respektojmë me vendosmëri. Vizioni i OSBE-së si qendër e sigurisë bashkëpunuese ndërkontinentale po vihet në provë. Kryesimi i Maqedonisë së Veriut do të bëjë gjithçka për të mbrojtur parimet dhe zotimet e OSBE-së. Duhet të vazhdojmë mbështetjen tonë dhe ta ndihmojmë Ukrainën të rindërtojë vendin pas përfundimit të luftës”, tha Osmani.

 

Samiti i Buçës kishte për qëllim edhe miratimin e dokumentit përfundimtar, Deklaratën e Buçës për Përgjegjësi për Krimet e Kryera në Territorin e Ukrainës, për të cilën Ministri Osmani tha:
“Në kapacitetin tim nacional, dëshiroj të theksoj se Maqedonia e Veriut solidarizohet me popullin e Ukrainës në këto kohë të vështira. Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Autorët e krimeve të tmerrshme në Buça dhe vende të tjera në Ukrainë duhet të dalin para drejtësisë”, theksoi Osmani.
 
Në Samitin e Buçës u drejtuan edhe Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski, si dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dimitro Kuleba, dhe mes tjerash, kishte për qëllim që ta rrisë mbështetjen ndërkombëtare për krijimin e një Gjykate Speciale për Krimet e Agresionit të kryera kundër Ukrainës, të cilat duhet të mbyllin hendekun nën kompetencën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR