• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani: Afati real për ndryshimet kushtetuese është fundi i mandatit të këtij Parlamenti

Osmani: Afati real për ndryshimet kushtetuese është fundi i mandatit të këtij Parlamenti

Shkup, 7 gusht 2023 (MIA)- Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani është optimist se ndryshimet kushtetuese do të miratohen dhe se qëllimi fillestar i Qeverisë ka qenë muaji nëntor, por që afati real është dita e përfundimit të mandatit të këtij Parlamenti.

"Jam optimist se do të bëhet. Sigurisht që qëllimi fillestar është deri në nëntor, sepse atëherë ka një kalendar administrativ shkaku i skriningut, por afati real është dita e përfundimit apo mandati i këtij Parlamenti, pra deri në zgjedhjet e ardhshme. Dhe deri në ditën e fundit do të punojmë për të ofruar mbështetje, duke konsideruar se nuk ka argumente kundër. Mendoj se betejën e parë e kemi fituar. Si propozues e kemi fituar sepse nuk pamë asnjë rezistencë nga ekspertët, asnjë opinion në lidhje me përmbajtjen e ndryshimeve kushtetuese. Të dalë dikush dhe të thotë, pritni kjo është e rrezikshme sepse iks, ipsilon gjërat do të ndodhin...", tha Osmani në intervistën për Sitell.

Sipas Osmanit, nuk ka argumente kundër ndryshimeve kushtetuese dhe kjo është para së gjithash një kalkulim për zgjedhjet e ardhshme në partinë opozitare (VMRO-DPMNE).

"Ju mendoni se ata nuk e dinë se kjo është mirë", tha Osmani duke mohuar se BDI-ja po bën kalkulime me zgjedhjet, sepse kanë dhënë dorëheqje për këtë proces.

Lidhur me atë nëse nevoja e miratimit të ndryshimeve kushtetuese do të jetë në rend dite në seancën që do të fillojë më 18 gusht, Osmani thotë se tani gjithçka është në dorën e kryetarit të Kuvendit.

"Megjithatë, gjithçka është në dorën e kryeparlamentarit dhe ai do të vendosë në bazë të Rregullores dhe koordinimit që bën me grupet parlamentare. Në bazë të asaj që ai tha është se pasi të jetë shterur debati, do të presë për votimin me qëllim që të bisedohet me partitë politike", ka thënë ministri i Jashtëm.

I pyetur për vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili do të ketë takim me përfaqësues të opozitës shqiptare, Osmani tha se nuk ka asnjë informacion zyrtar rreth kësaj.

"Nuk kemi asnjë informacion zyrtar se do të vjen. Po shohim nëpër rrjetet sociale se ka ndonjë komunikim partiak, kështu që realisht nuk kam informacion", tha Osmani.

 

QËNDRONI TË LIDHUR