• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Orhan Murtezani e mori detyrën si ministër për Çështje Evropiane

Orhan Murtezani e mori detyrën si ministër për Çështje Evropiane

Shkup, 24 qershor 2024 (MIA) - Orhan Murtezani e mori detyrën si ministër për Çështje evropiane pas takimit të sotëm në ambientet e ish SÇE-së me ish zëvendëskryeministrin për eurointegrime, Bojan Mariçiq.

"Edhe zyrtarisht e pranova detyrën e ministrit për Çështje Evropiane. Falënderoj qytetarët që i besuan koalicionit VLEN dhe kryesinë e Alternativës që ma besoi këtë pozitë. Tani kalojmë në veprim, duke mbajtur në mendje gjithmonë interesin e qytetarëve, përcaktimin e tyre për ndryshim rrënjësor dhe interesin strategjik të vendit për integrim evropian", ka shkruar Murtezani në profilin e tij në Fejsbuk.

Me miratimin e ligjit për riorganizimin e Qeverisë nga përbërja e re parlamentare, ish Sekretariati për Çështje Evropiane shndërrohet në Ministri për Çështje Evropiane.

Orhan Murtezani është i lindur në Shkup më 07.06.1984. Ka diplomuar në Fakultetin ekonomik pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” - Shkup, ndërsa studimet pasdiplomike i kreu në Universitetin Marmara në Stamboll. 

Prej vitit 2021 deri në vitin 2023 ai ka qenë drejtor i përgjithshëm dhe kryesues i SHA MEPSO, ndërsa në vitet 2019 dhe 2020 drejtor i përgjithshëm në KD të SHA Hekurudhat – Transporti. Në biografinë e tij qëndron edhe se ka qenë themelues dhe drejtor i Oki Trans Logistik SHPK dhe drejtor i Qendrës për demokraci. 

Prej vitit 2016 është zëdhënës i partisë politike Alternativa. 

Flet gjuhën shqipe, maqedone, angleze dhe turke. qa/

Foto: Orhan Murtezani

 

QËNDRONI TË LIDHUR