• e enjte, 26 dhjetor 2024

Orce Kamçev në listën e zezë të SHBA-së për shkak të korrupsionit, Ageler paralajmëron se do të vazhdojë shënjestrimi i individëve të korruptuar 

Orce Kamçev në listën e zezë të SHBA-së për shkak të korrupsionit, Ageler paralajmëron se do të vazhdojë shënjestrimi i individëve të korruptuar 

Shkup, 19 korrik 2023 (MIA) – Ministria e Financave e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka etiketuar biznesmenin Orce Kamçev për korrupsion, ryshfet, larje parash dhe vepra penale të tjera.

"Zyra për kontrollin e pasurive të huaja e Ministrisë së Financave e SHBA-së (OFAC) ka caktuar një individ, Jordan "Orce" Kamçev, në Maqedoninë e Veriut në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14033. Emërimi i sotëm nënvizon angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara për të promovuar përgjegjësinë për individë dhe subjekte që minojnë ose kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe sjelljeve të tjera destabilizuese", qëndron në kumtesën nga Ministria.

Sipas tyre, Kamçev ka keqpërdorur pozitën e tij, duke u angazhuar në aktivitete korruptive dhe duke zbatuar një agjendë egoiste në kurriz të institucioneve demokratike dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Në kumtesën e tyre përmendet edhe rasti “Parcelat në Vodno” në të cilin Kamçev akuzohet për larje parash, si dhe përmendet edhe pranimi i fajësisë së Kamçevit në rastin “Imperia” në të cilin ai dyshohej për bashkim kriminal, mashtrim, larje parash dhe krime të tjera lidhur me bizneset e tij.

"Shtesë, Kamçev përdori ndikimin dhe pasurinë e tij të korruptuar për të manipuluar sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut në favor të tij. Në vitin 2020, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale (PSP) u akuzua për pranim të ryshfetit nga Kamçevi dhe dëshmoi se Kamçevi kishte paguar para në këmbim të kushteve të favorshme për arrestimin dhe përfundimin e rastit. Kamçev më vonë ngriti një padi civile kundër prokurorit kryesor dhe të tjerëve, duke pretenduar se e kishin zhvatur. Gjykata themelore civile në Shkup vendosi se Kamçev nuk është viktimë dhe nuk ka të drejtë në kompensim", shtohet në kumtesë.

Ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Anxhela Ageler, ka njoftuar në llogarinë e saj në Tuiter se këto sanksione nuk prekin vetëm pronën e Kamçevit, por edhe ata që bëjnë biznes me të.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të synojnë individë të korruptuar që minojnë sundimin e ligjit dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Korrupsioni ka pasoja", shkroi Ageler.

Përveç Kamçevit, në listen e zezë të SHBA-së sot u gjet edhe grupi i dilerëve “El Baluti”, i përbërë nga vëllezërit Junes dhe Otman El Baluti, si dhe Jusuf Benaza, që shiste kokainë në të gjithë Belgjikën dhe Evropën Perëndimore, ndërsa e cila, sipas kumtesës nga Ministria e Financave e SHBA-së, fshihet në Dubai. Për shkak të tregtisë së paligjshme me drogë në listën e zezë të SHBA-së është vendosur edhe Franko Tabarez Martinez, pjesë e kartelit meksikan.

SHBA së fundi e futi në listën e zezë kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për përfshirje në korrupsion. ls/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR