Orban: Zelenski duhet ta dijë se mund të humbasë vetëm duke sulmuar Hungarinë
- Kryeministri hungarez Viktor Orban tha sot, në lidhje me mosmarrëveshjen për ndërprerjen e furnizimeve me naftë përmes naftëpërçuesit "Druzhba", se presidenti ukrainas Volodimir Zelenski duhet ta dijë se mund të humbasë vetëm duke sulmuar Hungarinë.
- Post By Sara Ademi
- 10:05, 23 shkurt, 2026
Budapest, 23 shkurt 2026 (MIA) - Kryeministri hungarez Viktor Orban tha sot, në lidhje me mosmarrëveshjen për ndërprerjen e furnizimeve me naftë përmes naftëpërçuesit "Druzhba", se presidenti ukrainas Volodimir Zelenski duhet ta dijë se mund të humbasë vetëm duke sulmuar Hungarinë.
"Ne arritëm të mbrojmë furnizimin me karburant të Hungarisë. Dhe i dhamë presidentit Zelenski përgjigje të forta dhe proporcionale. Ai duhet ta dijë gjithashtu: Mund të humbasë vetëm duke sulmuar Hungarinë", shkroi Orban në Fejsbuk.
Ai deklaroi se qeveria hungareze kishte punuar ditët e fundit për të zgjidhur situatën e shkaktuar nga bllokada dhe vlerësoi se kishte arritur të mbronte furnizimin me karburant të vendit.
"Fushatë apo jo, bllokada ukrainase e naftës është mbi gjithçka sot", tha Orban, duke shtuar se kabineti i kishte dhënë një "përgjigje vendimtare dhe proporcionale" Kievit.
Kryeministri hungarez vlerësoi se pa naftën dhe gazin rus, çmimi i benzinës në Hungari mund të arrinte në 1,000 forinta (rreth 2.6 euro), ndërsa kostot e shërbimeve komunale në amvisëri do të rriteshin tre deri në katër herë.
Paraprakisht, Orban njoftoi se Hungaria do të vendos veton ndaj një pakete të re sanksionesh anti-ruse nga Bashkimi Evropian, duke deklaruar se Budapesti nuk mund t’i mbështesë masat derisa të riktheheshin furnizimet me naftë përmes naftëpërçuesit "Druzhba".
Ai tha se Këshilli Kombëtar i Sigurisë së Energjisë kishte shqyrtuar situatën e shkaktuar nga, siç e tha ai, "shantazh ukrainas", duke vlerësuar se furnizimi i Hungarisë nuk ishte i kërcënuar për momentin, por se ishte marrë një vendim për "kundërmasa të caktuara".
Orban theksoi gjithashtu se Hungaria nuk do të rifillojë furnizimet me naftë në Ukrainë derisa të rivendoset rrjedha normale e furnizimeve me naftë ruse përmes naftëpërçuesit, duke vënë në dukje se "armiku i Hungarisë nuk është populli ukrainas, por politika e keqe ukrainase".
Hungaria po furnizohet me naftë ruse nëpërmjet naftëpërçuesit "Druzhba", dega jugore e të cilit kalon nëpër Ukrainë.
Ukraina njoftoi në fillim të shkurtit se kishte pezulluar furnizimet me naftë përmes naftëpërçuesit "Druzhba", pas një sulmi rus në infrastrukturën e naftëpërçuesit më 27 janar. sa/
foto: DPA