• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Opozita shqiptare nënshkroi Deklaratë për bashkim

Opozita shqiptare nënshkroi Deklaratë për bashkim

Shkup, 17 shkurt 2024 (MIA) - Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit dhe partitë nga koalicioni Lidhja evropiane për ndryshime (LEN), Lëvizja demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa, sot nënshkruan Deklaratë për bashkim në pragë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Në deklaratën e nënshkruar nga liderët e ASH-së, Arben Taravari, Lëvizja Demokratike, Izet Mexhiti, Alternativa Afrim Gashi dhe Lëvizja Besa, Bilal Kasami, theksojnë se po vendosin themelet e një epoke të re në mesin e partive shqiptare në këtë vend. Kandidati i katër partive për zgjedhjet presidenciale do të jetë Taravari.

"Sot me nënshkrimin e kësaj deklarate, në këtë ditë ku shënojmë edhe pavarësinë e Kosovës, hedhim themelet e një epoke të re te partitë shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo deklaratë është një platformë e përbashkët e të gjitha subjekteve shoqërore dhe faktorëve që vlerësojnë se ka ardhur koha për një ndryshim të madh politik në vend. Sot nga ky tubim masiv u bëjmë thirrje të gjithëve, pa dallim, të rinj, të pacaktuar, të dëshpëruar, aktivistë dhe analistë - Bashkojuni ndryshimit që po vjen", tha Mexhiti.

Kasami, nga ana tjetër, tha se përfshirja e ASH-së në koalicion tregon vendosmërinë, frymën revolucionare dhe vullnetin për ndryshim të popullit shqiptar. "Jini të sigurt që vendimi juaj për të qenë pjesë e këtij procesi është i vlefshëm", tha Kasami. ls/ 

QËNDRONI TË LIDHUR