Onkologu Risteski: Fashat me nikotinë nuk shërojnë kancerin, mos dëgjoni budallallëqe në internet, përkundrazi - e mbrojnë kancerin
- Onkologu i njohur dr. Milan Risteski paralajmëron për pavërtetësinë e përmbajtjeve në videot e shkurtra që po përhapen në rrjetet sociale, të cilat i referohen kancerit dhe vetive të supozuara shëruese të fashave të nikotinës.
- Post By Melahat Baftija
- 19:29, 4 mars, 2026
Shkup, 4 mars 2026 (MIA) - Onkologu i njohur dr. Milan Risteski paralajmëron për pavërtetësinë e përmbajtjeve në videot e shkurtra që po përhapen në rrjetet sociale, të cilat i referohen kancerit dhe vetive të supozuara shëruese të fashave të nikotinës.
"Një reagim tjetër ndaj skenave idiote në FB - Nikotina shëroi kancerin! Raportim i kotë, kjo Meta është bërë një vendgrumbullim plehrash! Ja e vërteta: Nikotina nuk e shëron kancerin; përkundrazi, ajo mbron qelizat kancerogjene nga vdekja, duke zvogëluar potencialisht efektivitetin e imunoterapisë, terapisë së synuar, kimioterapisë dhe radioterapisë dhe gjithashtu stimulon rritjen e tumorit dhe angiogjenezën e tumorit - krijimin e enëve të gjakut të tumorit që ushqejnë kancerin! Nikotina aktivizon rrugët e sinjalizimit (PI3K) që mbrojnë qelizat kancerogjene, veçanërisht nëse ka një mutacion në atë rrugë sinjalizimi, ndërsa në shumicën e tumoreve ka pikërisht aty mutacione", thotë dr. Risteski.
"Nikotina rrit faktorin 1-alfa të induktueshëm nga hipoksi (HIF-1), i cili ndihmon qelizat kancerogjene të mbijetojnë në mjedise me oksigjen të ulët që nxisin rritjen e tumorit. Nikotina parandalon apoptozën (vdekjen e programuar qelizore) në qelizat kancerogjene të zorrës së trashë të trajtuara me 5-fluorouracil dhe irinotekan! Ju lutem kini kujdes me budallallëqet e pakontrolluara që dalin në FB", thotë reagimi i dr. Risteskit.

Reagimi i tij vjen pas "përmbytjes" së shumë postimeve në platformat sociale të publikuara nga një farë Brajan Ardis, i cili prezantohet si mjek dhe është kiroprakt i licencuar, nutricionist, që praktikon edhe akupunkturën dhe i cili pretendon se flasterët me nikotinë mund të kurojnë gjithçka - nga kanceri te sëmundjet autoimune dhe të gjitha inflamacionet në përgjithësi. mb/
Foto: fb i dr. Milan Risteskit