• e martë, 24 dhjetor 2024

Oficerë të lartë rusë në shënjestër të shërbimeve të inteligjencës ukrainase

Oficerë të lartë rusë në shënjestër të shërbimeve të inteligjencës ukrainase

Kiev, 17 dhjetor 2024 (MIA) - Atentati i sotëm ndaj gjeneralit rus Igor Kirilov në Moskë është tregues se shërbimet ukrainase të sigurisë targetojnë individë të lartë rusë të lidhur me ngjarje konkrete ose me aftësi kyçe për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Vrasja e gjeneralit Kirilov nuk është e para. Oficeri i lartë i marinës ruse, Valeri Trankovski më 13 dhjetor u vra në një shpërthim të auto-bombës në Krime.

Një përfaqësues anonim i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) atëherë për "Kiev Independent" deklaroi se Trankovski ishte një kriminel lufte, i cili urdhëroi sulme me raketa ndaj objektivave civilë në Ukrainë.

Gjithashtu supozohet se inteligjenca ukrainase është e përfshirë në vrasjen e shkencëtarit rus Mihailo Shacki, i cili ka vdekur më 12 dhjetor në afërsi të Moskës. Për Shackin dyshohet se ka qenë i përfshirë në programin e raketave të Rusisë dhe zhvillimin e softuerit të inteligjencës artificiale për dronët.

Shërbimi inteligjent ukrainas konfirmoi mëngjesin e sotëm se qëndronte pas vrasjes së gjeneralit rus Igor Kirilov dhe ndihmësit të tij Ilja Polikarpov. Atentati u krye me një mjet të vendosur shpërthyes në një skuter, i cili ishte i parkuar pranë hyrjes së pallatit. Eksplozivi u aktivizua kur Kirilov dhe Polikarpov dolën nga ndërtesa.

Gjenerali Kirilov lindi në vitin 1970 në Kostroma, Rusia perëndimore. Pas diplomimit në shkollën e Komandës së lartë ushtarake të mbrojtjes kimike në Kostroma, ai u emërua në poste të ndryshme në forcat ruse të mbrojtjes bërthamore, biologjike dhe kimike, ndërsa që nga viti 2017 ishte komandant i këtyre forcave.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, ai ishte i njohur për ndihmën në zhvillimin e sistemit flakëhedhës të rëndë TOS-2 Tosoçka. Ai është akuzuar për përdorimin e armëve kimike, të ndaluara gjatë luftës në Ukrainë, si dhe për asfiksuesin helmues - kloropicrin. rq/bsh/

Foto: Iks

QËNDRONI TË LIDHUR