• e premte, 27 dhjetor 2024

OEMVP: Vitin 2024 mes sfidave dhe arritjeve - Investime, transparencë dhe reforma - Prioritetet për vitin 2025

OEMVP: Vitin 2024 mes sfidave dhe arritjeve - Investime, transparencë dhe reforma - Prioritetet për vitin 2025

Shkup, 26 dhjetor

Në konferencën për shtyp të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore e mbajtur sot në ambientet e OEMVP-së, kryetari i Odës, z. Mendi Qyra, prezantoi zhvillimet ekonomike dhe sfidat e vitit 2024, si dhe pritjet dhe kërkesat kryesore të Odës për vitin 2025.

Në lidhje me sfidat ekonomike me të cilat është përballur vendi gjatë vitit 2024, z. Qyra theksoi nivelin e ulët të realizimit të projekteve kapitale, në vetëm 47% deri në nëntor të vitit 2024, vonesat në kthimin e TVSH-së për kompanitë, si dhe sfidat me mungesën e fuqisë punëtore, për çka, bizneset në vend janë në kërkim të rreth 15 mijë punëtorëve. z. Qyra potencoi se ekonomia joformale arrin në vlerë prej mbi 35% deri  në 39% të BPV-së, e që në skenarin “më të mirë” të analizave të OEMVP-së, kjo në nivel vjetor vendit i kushton mbi 700 milion euro, ndërsa në skenarin “më të keq”, tejkalon edhe vlerën prej 1.7 miliarda euro, të cilat janë humbje potenciale e të hyrave buxhetore. Kryetari i Odës theksoi se gjatë vitit 2024 në tregtinë e jashtme, vendi ka shënuar rënie të konsiderueshme të eksportit prej 5.5% vetëm për periudhën Janar – Tetor, nga 7 miliardë euro në vitin 2023 të të njëjtës periudhë, në 6.56 miliarda euro në vitin 2024. Ai nënvizoi se ngrirja e çmimeve të produkteve shkollore, ushqimore, është ndërhyrje direkte në tregun e lirë.

Duke folur për arritjet pozitive të vitit 2024, kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra, theksoi rekordin e investimeve të huaja direkte, që arritën në 838 milionë euro, themelimin e Ministrisë për Energjetikë, e cila ka qenë një kërkesë afatgjatë e OEMVP-së, votimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, po ashtu kërkesë e kahmotshme e Odës. Kryetari Qyra, theksoi se veprime pozitive të cilat janë shënuar në vitin aktual, janë edhe inkorporomi i pjesërishëm i Platformës për zhvillim ekonomik e OEMVP-së në platformat e partive qeverisëse, sjellja e Ligjit për ndalimin e praktikave jo të drejta tregtare, fillimi i punës në Korridoret 8 dhe 10D, shpërndarja e 250 milion eurove, mjete likuide me interes të ulët për biznesin dhe 250 milion euro mjete likuide me interes të ulët për komunat, por edhe solidarizimi i bizneseve me qytetarët, si dhe qasja pozitive e Qeverisë për krijimin e shportës së vitit të ri në formë vullnetare. Gjithashtu, z. Qyra përshëndeti fillimin e procedurës për shqyrtimin e Ligjit i Tatimit të Solidaritetit. 

Kryetari Mendi Qyra, foli edhe për pritjet dhe kërkesat e OEMVP-së për ekonominë në vitin 2025. Ai potencoi se nevojiten masa urgjente për të trajtuar ekonominë gri, e cila është mbi 35% e BPV-së dhe përbën një barrë të madhe për buxhetin shtetëror si dhe për të rritur transparencën dhe efikasitetin e institucioneve publike. Z. Qyra, theks të veçantë vuri në rëndësinë e masave dhe strategjive të reja për të adresuar këto sfida dhe për të krijuar një bazë të fortë për rritje të qëndrueshme ekonomike në vitin 2025. Ndër kërkesat dhe prioritetet e identifikuara për vitin që pason, z. Qyra veçoi:

- Rritjen e BPV-së mbi 4% në 4 vitet e ardhshme,
- Rritjen e pagës minimale neto në 500 euro dhe uljen e kontributeve të pagave nga 47.7% në 32%,
- Funksionalizimin e sistemit për import të fuqisë punëtore nga jashtë,
- Zhvillimin e strategjive për rikualifikimin e punonjësve të administratës publike dhe alokimi i tyre në sektorin privat
- Racionalizimin e shpenzimeve buxhetore dhe masat për uljen e inflacionit,
- Realizimin e plotë të investimeve kapitale, si dhe
- Realizimin e projekteve madhore si Korridori  8 dhe 10D.

Kryetari i OEMVP-së, po ashtu kërkoi nga Qeveria rritjen e buxhetit për investime kapitale në nivel vjetor, prej 14% e më tepër, të revidojë dhe vendos në funksion sistemin e ri për import të fuqisë punëtore nga jashtë, të bëjë racionalizimin e shpenzimeve buxhetore, implementimin e parimit të llogaridhënies për krerët e institucioneve dhe të ndërmarrë masa adekuate makroekonomike për uljen e inflacionit, në bashkëpunim me Odat Ekonomike. Si masa të rëndësishme të cilat duhet ti ndërmarrë Qeveria, z. Qyra i nënvizoi edhe alokimin e Investimeve të huaja direkte në mënyrë të barabartë në të gjitha Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale, përfshirjen e të gjithë sektorëve dhe veprimtarive në kredinë Hungareze, duke mos përjashtuar turizmin dhe energjetikën. Ai po ashtu theksoi se sjellja e ligjeve ekonomike, të bëhet vetëm në bashkëpunim me Odat Ekonomike si dhe konkretizimin e hapave drejtë decentralizimit 

Në konferencë morën pjesë edhe Drejtori Ekzekutiv dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të OEMVP-së, të cilët analizuan dhe përcaktuan prioritetet që duhet të jenë në fokusin e Qeverisë gjatë vitit të ardhshëm, duke vlerësuar gjithashtu arritjet pozitive të vitit që lamë pas. Ata theksuan rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore dhe sektorit privat për të hartuar politika ekonomike që adresojnë në mënyrë efektive nevojat e biznesit dhe qytetarëve.

OEMVP mbetet e përkushtuar të jetë zëri i fuqishëm i biznesit në vend, duke ofruar propozime konkrete dhe të bazuara në analiza për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut.

📧Email: info@oemvp.org  / pr@oemvp.org

Shërbimi për informim/Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore

__________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR