• e enjte, 26 dhjetor 2024

OEMVP kërkon të rriten kuotat për importin e fuqisë punëtore dhe për të ndaluar ngrirjen e çmimeve të produkteve

OEMVP kërkon të rriten kuotat për importin e fuqisë punëtore dhe për të ndaluar ngrirjen e çmimeve të produkteve

Shkup, 21 mars 2023 (MIA) - Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) kërkon nga Qeveria  ta liberalizojë tregun e punës, të rriten kuotat për importin e fuqisë punëtore dhe të eliminohen barrierat që e parandalojnë rekrutimin e fuqisë punëtore nga vendet tjera. Kërkon edhe të ndalet me ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe në vend të asaj të gjejnë mundësi tjera për uljen e çmimeve për shfrytëzuesit përfundimtarë, siç janë zvogëlimi i TVSH-së dhe intervenimi përmes rezervave shtetërore.

"Gjendja me tregun e punës në Maqedoni është shumë alarmante, sepse të rinjtë tanë po shkojnë jashtë vendit. Prioritet i Qeverisë duhet të jetë liberalizimi i tregut të punës me vendet e rajonit, gjë që tashmë ka filluar me disa vende. Kërkojmë që kjo të bëhet edhe me Kosovën dhe të eliminohen barrierat që pengojnë rekrutimin e fuqisë punëtore nga vendet tjera", tha kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra, në konferencën e sotme për media.

Ai theksoi se duhet të rriten kuotat për importin e fuqisë punëtore madje edhe nga Azia, sepse ka mungesë të fuqisë punëtore në vend veçanërisht në hotelieri, turizëm dhe ndërtimtari. Para se të bëhet kjo, shtoi ai, duhet të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet që i kemi në vend.

"Agjencia për Punësim duhet të jetë më e përditësuar dhe ata që janë të regjistruar si të papunë duhet t'i bashkohen fuqisë punëtore dhe të punësohen në kompanitë që kërkojnë fuqi punëtore. Vendi ynë dita-ditës mbetet pa fuqi punëtore, ndonëse në tre vitet e fundit janë diplomuar rreth 15 mijë studentë, por fatkeqësisht shkojnë jashtë vendit. Jemi dakord që paga minimale të rritet, por po mundohemi që paga mesatare (më e zakonshme) të rritet në 500 deri në 600 euro, jo mesatare, për të parandaluar daljen e personelit jashtë vendit", tha Qyra.

Për ta bërë këtë, theksoi ai, insistojmë në uljen e kontributeve në paga, të cilat në vendin tonë janë progresive dhe shumë të larta.

Si një problem shumë të rëndësishëm, ai e theksoi edhe ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë.

"Këmbëngulim të ndalojmë ngrirjen e çmimeve  dhe të gjejmë alternativa, gjegjësisht të intervenohet me rezerva shtetërore dhe të kërkohen mundësi tjera për uljen e çmimeve për shfrytëzuesit përfundimtarë siç janë zvogëlimi i tatimeve dhe TVSH-ja", tha Qyra.

Ai theksoi se kanë pasur kontakte me autoritetet  në lidhje me temën e ngrirjes së çmimeve dhe shtoi se janë kundër, sepse ekonomia ende  është në krizë edhe pse jo sikur në kohën e pandemisë dhe krizës energjetike.

Kryetari i OEMVP-së theksoi se vendi ka problem me infrastrukturën rrugore, ndërsa si shembull i theksoi akset rrugore Shkup-Bllacë dhe Kërçovë-Ohër Strugë.

Kryetari i zonës industriale "Vizbeg" dhe nënkryetar i OEMVP-së, Nuhi Aliu theksoi se zona me më shumë se 5.000 të punësuar realizon të ardhura vjetore mbi 800 milionë euro, ka mbi 40 milionë euro fitim  vjetor dhe merr pjesë me 7.5 për qind në BPV-në e vendit, ndërsa përballet me probleme të mëdha infrastrukturore, edhe pse fitimi i realizuar mbetet tërësisht në vend.

Deri tani, shtoi ai, nuk kemi pasur ndonjë mbështetje të madhe dhe gjithçka që është bërë në zonë është realizuar me investimet e sektorit privat.

"I bëjmë thirrje publikisht shtetit dhe pushtetit lokal më shumë të mendojnë për zonën dhe të jenë më të pranishëm në të dhe t'i zgjidhin nevojat infrastrukturore elementare që i ka, pa përmendur rrugët kryesore dhe dytësore të zonës, të cilat janë në gjendje katastrofale.  Madje edhe investimi i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve në pjesën e ujësjellësit dhe kanalizimit ende nuk është kyçur dhe punimet janë kryer aq keq, veçanërisht te pusetat të cilat nuk janë vendosur në mënyrë adekuate dhe janë të rrethuara me beton në vend të asfaltit, për shkak të të cilave mund të shkaktojnë shumë probleme dhe pasoja serioze", theksoi Aliu.

Ai tha se së bashku me Odën aspak nuk mund të kontaktojnë me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.

"Kemi këmbëngulur që kur ajo është bërë kryetare e qytetit që të kemi komunikim, por nuk mund të shkojmë tek ajo dhe të caktojmë një takim edhe pse ajo ishte në zonë në periudhën parazgjedhore dhe premtoi se do të ishte një nga prioritetet në programin e saj", thekson Aliu. sa/

 

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR